Efektet e para të vetingut kanë zhytur 6 institucione të sistemit të drejtësisë në kaos. Si pasojë e korrupsionit në sistem, procesi i vetingut ka përjashtuar deri më tani 21 gjyqtarë dhe prokurorë ndërkohë që kërkohet shkarkim nga detyra, nga ana e ndërkombëtarëve, dhe për 6 subjekte të tjerë. Por si pasojë e këtij fakti, 6 institucione të drejtësisë, mes të cilave dhe ato që pritet të ngrihen, janë zhytur në kaos. Këshilli i Lartë Gjyqësor pritej që me mbylljen e fazës së parë të procesit të vetingu, të merrte jetë brenda shtatorit. Por rrëzimi i një numri të madh kandidatësh ka ndikuar që KLGJ të ngelet e paralizuar.
Kjo për faktin se dhe pse e kaluan vetingun 9 kandidatë të KLGJ, ngritja e këtij institucioni nuk mund të kryhet për faktin se mungojnë kandidatët nga gjykatat e Apelit të Rretheve. Kusht ky që, sipas ligjit, duhet për ngritjen e KLGJ. Por krahas KLGJ-së edhe KLP nuk mund të ngrihet dot në shtator. Edhe këtu problematike është situata me dy përfaqësuesit që do të përfaqësojnë prokuroritë e Apelit në rrethe.
Nga tre kandidatë që morën pjesë vetëm Arben Dollapaj u konfirmua në detyrë, duke krijuar kështu një vend bosh. Inspektorati i Drejtësisë është një tjetër institucion që është përfshirë nga ngërçi. Me nisjen e reformës, KLD-së ju hoqën vendimmarrjet në lidhje me emërimet e gjyqtarëve në gjykata. Mosemërimi i gjyqtarëve nga ana e KLD, ka bërë që me largimin e shumë subjekteve nga vetingu gjykatat të paralizohen totalisht. Sakaq, një tjetër institucion që është zhytur në kaos është dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.
Nga 9 anëtarë që duhet të ketë, KED ka mbetur me 4 anëtarë, nga të cilët 1 prej tyre e ka kaluar vetingun ndërsa tre të tjerët janë në pritje. Pikërisht kjo gjë ka bërë që dhe KED të jetë e paralizuar dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim për të zhbllokuar kaosin në Kushtetuese.
Organet e larta të drejtësisë në kaos
Mbyllja e fazës së parë të vetingut ka futur gjithashtu në ngërç edhe dy organet më të larta të drejtësisë në vend. Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë paralizuar komplet pasi shumica e gjyqtarëve nuk arritën të justifikonin të ardhurat e tyre para KPK. Nga 6 gjyqtarë të Kushtetueses që iu nënshtruan procesit të vetingut, 4 prej tyre nuk arritën ta kalonin ndërkohë që Besnik Imeraj dha dorëheqjen nga detyra. Me përjashtim të gjyqtares, Vitore Tusha, e cila edhe pse u konfirmua nuk është pjesë e trupës pasi i ka mbaruar mandati,
Kushtetuesja rrezikon të ngelet pa asnjë anëtar pasi po i rrezikohet vendi edhe Bashkim Dedjes, pasi Komisioneri Publik pas kërkesës së ONM e ka apeluar vendimin e KPK tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Por krahas Kushtetueses, edhe Gjykata e Lartë është në kolaps. Nga 19 gjyqtarë që duhet të ishin në detyrë, shkalla e fundit e gjyqësorit ka ngelur me vetëm 4 gjyqtarë. Nga të cilët, dhe dy prej tyre, konkretisht kreu i gjykatës Xhezair Zaganjori dhe gjyqtari Edmond Islamaj rrezikojnë të shkarkohen pas kërkesave të bëra nga ONM, duke e çuar në kolaps total edhe Gjykatën e Lartë.
PD asnjë sinjal konsensusi me PS
PD deri më tani nuk ka dhënë asnjë sinjal konsensusi me PS për të zhbllokuar këtë ngërç. Edhe pse mazhoranca u përpoq që ta zhbllokonte situatën e ngërçit, duke propozuar në Kuvend ndryshimet në ligjin për magjistratët, opozita nuk dha konsensus. E teksa po afron shtatori dhe ligji për magjistratët pritet që të kalojë në seancë për votim, mosdhënia e konsensusit nga ana e opozitës do e thellojë akoma më shumë ngërçin në sistemin e drejtësisë pasi gjykatat do të ngelen pa gjyqtarë. E vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë është votimi i ligjit për magjistratët në mënyrë që KLD të mundet të bëjë emërimet e gjyqtarëve në të gjitha gjykatat ku ka mungesë gjyqtarësh, duke i dhënë kështu mundësi funksionimi Gjykatave të Apelit dhe atyre të Shkallës së Parë./ Endri ARIZI