Disa dosje të tjera penale po përgatiten për t’u dorëzuar në SPAK për veprimtarinë korruptive të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët dyshohet se kanë fshehur në emrin e disa biznesmenëve të dyshimtë resorte, hotele, komplekse pallatesh, komplekse sportive, vila, gurore, rrjete dyqanesh etj., me vlerë dhjetëra milionë euro.
Deri më tani, për çiftin Meta-Kryemadhi, janë dorëzuar në SPAK, dy dosje për hedhjen e 1.2 milionë USD para korrupsioni për lobim në SHBA, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. SPAK ka regjistruar të dy procedimet penale.
Në dosjet që po përgatiten, flite edhe për pasurinë ‘Velipoja Grand Europa Resort’, në Velipojë, me vlerë miliona euro.
Pasuria dyshohet se është e Monika Kryemadhit, ku resorti luksoz është ngritur mbi prona publike dhe private të grabitura përmes falsifikimit dhe korrupsionit nga Ilir Meta
Dhjetëra mijëra m2 tokë në Velipojë, afër detit, dyshohet se janë tjetërsuar gjatë viteve 2009-2013. Resorti ka nisur të ndërtohet me para të dyshimta në vitin 2013, ndërsa ka përfunduar në vitin 2018.
Gjatë inaugurimit në korrik të 2018, Monika Kryemadhi sillej si pronare dhe konsiderohej e tillë.
Megjithatë, resorti figuron në letra në emrin e Belma Çelës, e cila është bashkëshortja e deputetit të LSI-së Agron Çela, i cili është bërë pronar edhe i Kafes së Madhe në Shkodër.
Agron Çela konsiderohet si një ndër deputetët më të pasur, por ka dyshime të forta se Çela është thjeshtë një mbartës në letra i pasurisë së Ilir Metës.