Thellohen paligjshmëritë e Mynyr Konit në prag të largimit nga posti i rektorit të Universitetit të Tiranës. Përveç bllokimit të diplomave dhe tentativave për të ndaluar ose shtyrë zgjedhjet në universitete, rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni ka bllokuar dhe emërimin e pedagogëve në Fakultetin e Drejtësisë.
Sipas informacioneve, rreth një vit më parë, pra në vitin 2019, Fakulteti i Drejtësisë kishte shpallur 8 vende vakante për pedagog. Sipas ligjit të arsimit të lartë dhe rregullores, të gjitha procedurat për emërimin dhe përzgjedhjen e pedagogëve në bazë fakulteti i takojnë vetë fakultetit dhe jo institucioneve të tjera sikurse është rektorati.
Gjatë vitit 2019 kur fakulteti kishte shpallur vendet vakante, është kryer një mbledhje, ku është mbledhur Komisioni përkatës për të bërë përzgjedhjen e 8 pedagogëve. Sipas informacioneve, në këtë mbledhje ka qenë i pranishëm edhe një përfaqësues i Rektoratit, i cili nuk ka pasur asnjë ankesë për procesin në fjalë dhe ka firmosur normalisht dokumentin ku ishin përzgjedhur 8 emrat e pedagogëve.
Përfaqësuesi i rektoratit ka dhënë firmën e tij në dokument ku ishin përzgjedhur dhe do të emëroheshin 8 pedagogët. Por përplasja ka nisur më pas. Dokumenti u dërgua në Rektorat për t’u firmosur nga rektori Mynyr Koni. Në momentin që dokumenti me të gjithë firmat edhe me firmën e përfaqësuesit të rektoratit arriti në zyrën e rektorit Mynyr Koni, ky i fundit nuk ka pranuar që të firmosë.
Koni bllokon emërimet
Sipas Konit, Fakulteti i Drejtësisë ka shkelur ligjin duke bërë përzgjedhjen vetë dhe ka anashkaluar Rektorin si institucion përgjegjës për të përzgjedhur dhe emëruar pedagogët. Sipas Konit përzgjedhjen duhet ta bëjë Rektorati dhe jo Fakulteti.
Por mësohet se 8 emrat në fjalë i janë drejtuar gjykatës, e cila këtë javë u ka dhënë të drejtë atyre dhe ka rrëzuar rektorin Mynyr Koni. Gjykata është shprehur se rektori ka shkelur hapur ligjin dhe e ka detyruar që të firmosë menjëherë kandidatët e përzgjedhur nga fakulteti.
Ndërkohë sipas burimeve të gazetës, pedagogët në fjalë kanë nisur procedurat për të bërë një kallëzim penal ndaj rektorit Mynyr Koni.
Parashikimet në ligj
Ligji për arsimin e lartë thotë: “Kriteret e punësimit të personelit akademik me kohë të plotë përcaktohen nga njësia bazë, bazuar në nevojat e kësaj të fundit dhe miratohen nga rektori. Konkursi në institucionet publike të arsimit të lartë drejtohet nga një komision ad hoc, i përbërë në shumicë nga përfaqësues të njësisë bazë përkatëse.
Rregullat dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit ad hoc, si edhe të përzgjedhjes së personelit akademik caktohen në statutin e IAL-së.
Në institucionet jopublike kriteret, rregullat dhe procedurat për punësimin e personelit akademik përcaktohen në statutin e institucionit”. Pra sipas ligjit të vitit 2015 për arsimit e lartë, është fakulteti përgjegjës për përzgjedhjen e stafit akademik, ndërsa rektori duhet të firmosë emërimin.
Por Koni duket se nuk e njeh këtë ligj pasi duke pretenduar se Fakulteti i Drejtësisë ka shkelur ligjin, i ka bllokuar emërimin e 8 pedagogëv