Gjykata e Tiranës do të vendosë sot nëse ish-kryeministri Berisha do të thirret si dëshmitar në gjyqin e Izet Haxhisë. Si prokurori ashtu dhe avokati i Haxhisë kanë kërkuar që Berisha të pyetet mbi ato se çfarë di dhe sot do të merret vendimi i shumëpritur.
Seanca e shkuar u shty sepse avokati Idajet Beqiri rezultoi me koronavirus, por gazeta kontaktoi me të dhe ai do të jetë prezent sot, çka do të thotë se do të kemi një vendim final sa i takon fatit të Berishës. Ky i fundi ka nisur të japë sinjale se nuk do që të paraqitet në gjykatë.
Në një intervistë televizive Berisha deklaroi se ai i ka thënë ato që dinte në një deklaratë para ambasadorit amerikan dhe tani nuk ka se çfarë të thotë. Por mendon krejt ndryshe Idajet Beqiri, avokati i Izet Haxhisë.
Në një prononcim për gazetën “SOT”, Idajet Beqiri ka deklaruar se Berisha duhet të thotë në gjykatë ato që di, ndërsa këmbëngul se ai ka pasur rol në nxjerrjen e Hajdarit në pritë.
“Gjykata e Shkallës së Parë që po rigjykon çështjen është e detyruar të thërresë me cilësinë e dëshmitarit Sali Berishën sepse ai është realisht personi kyç që di shumë për këtë ngjarje, që ka parë shumë, që ka dëgjuar më shumë, që ka folur më shumë se askush tjetër për këtë ngjarje me akuza e kundërakuza, por mbi të gjitha edhe që Sali Berisha është i vetmi person që përfitoi dhe e shfrytëzoi në interesin e tij dhe të karrierës së tij kriminale të përgjakshme këtë ngjarje”, tha avokati.
Sipas tij, klienti i tij, Izet Haxhia, e cilëson atë si dëshmitarin kryesor për të provuar se është i pafajshëm në këtë ngjarje. Sipas tij, Berisha ka fshehur qëllimisht gjurmët e krimit.
“Gjykata është e detyruar ta thërrasë atë si dëshmitar jo vetëm për faktin se organi i akuzës, Prokuroria, e kërkon atë në gjyq si dëshmitarin kyç të proçesit për të vërtetuar akuzën, por edhe i pandehuri Izet Haxhia e kërkon atë si dëshmitarin kryesor për të provuar pafajësinë e tij dhe për të vërtetuar fajësinë e vet Berishës në nxjerrjen në pritë të Azem Hajdarit, në rolin e frymëzuesit dhe të nxitësit së krimit, në moskallëzimin në kohën e duhur të këtij krimi, në fshehjen e qëllimshme të gjurmëve të këtij krimi”, tha avokati Beqiri.
Qëndrimet e Berishës
Pak kohë më parë Berisha në studion e “Opinion” dha sinjale se nuk do që të dëshmojë. Dalja në interviste ishte e qëllimtë pasi ish-kryeministri i dërgoi disa mesazhe gjykatës se ai s’ka lidhje me këtë punë dhe nuk ka pse të dëshmojë. “E kam kryer detyrën time, kam dhënë një dëshmi, jo dëshmi, deklaratë shteruese për ato që dija.
Kjo çfarë është? Një proces i dytë politik, hakmarrje për Nexhmijen, Kristaq Ramën. Hapet procesi për të nxjerrë nga burgu vrasësin e kushedi sa personave që është Jaho Salihi dhe pjesëmarrësin Izet Haxhia. Qëllimi i Edi Ramës është të realizojë skenarin si me Dritan Dajtin.
Do të nxjerrë nga burgu Jaho Salihin”, tha Berisha. Por në kërkesën që ka bërë avokati i Haxhisë, thuhet pikërisht se Berisha duhet të pyetet mbi deklaratën që ka dhënë para diplomatit amerikan. Ajo letër nuk ka vlerë juridike nëse nuk shoqërohet me dëshmi në gjykatë. “Në fashikullin e gjykimit, në faqet 707-708-709-710 ndodhet Deklarata e Partisë Demokratike e firmosur në datën 16 korrik 1999 nga dëshmitari Sali Berisha dhe i ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Robert H. Frowik.
Në këtë deklaratë Sali Berisha jep me hollësi gjithë versionin e ngjarjes, orën e saktë të ndodhjes së krimit, si e ka dëgjuar atë, kush ishin qëlluar, nga kush u qëlluan, me kë ishte takuar Azem Hajdari para se të shkonte në vendin e krimit etj. etj., shpjegime të hollësishme të kësaj dite ngjarje dhe të ditëve të tjera para dhe pas saj.
Deklarimet e Berishës para gjykatës janë të domosdoshme. Ai nuk ka qenë i pranishëm në vend ngjarje, por është personi i parë që i ka shkuar i gjithë informacioni për ngjarjen nga dëshmitarët okularë, të cilat ai i ka bërë pjesë të deklaratës së tij”, thuhet në kërkesën e Izet Haxhisë./Kliti Topalli