Tërmeti i fuqishëm që tronditi Shqipërinë duke shkaktuar shumë të vdekur dhe të plagosur ka sjellë panik dhe frikë edhe te të burgosurit, të cilët kanë bërë thirrje në Report Tv që të lirohen nga qelitë në mënyrë që të dalin në zonën e ajrimit.
“Kërkojnë të na nxjerrin nga qelitë në zonën e ajrit,”- shprehen disa prej tyre që ndodhen në burgun e Fushë Krujës të trembur duke kërkuar ndihmë. Report Tv ka publikuar pamjet nga ajo që ndodhi në orët e para të mëngjesit te burgu 313 në Tiranë. Të dënuarit përplasnin dyert e burgjeve duke kërkuar që të lirohen nga qelitë dhe të nxirreshin në zonën e ajrimit.
22 të vdekur, mbi 600 të plagosur, dhe dhjetëra të tjerë nën rrënoja, është ky bilanci i një ditë që do të mbahet mend gjatë si tragjedia e 26 nëntorit 2019. Epiqendra e tërmetit ishte qyteti i Durrësit, dhe konkretisht zona e Thumanës, ku ka patur 3 pallate të shembura, ndërkohë që problemet nuk mungojnë as në Fushë-Krujë, apo te Kavalishenca, ku mbeti i vdekur kryekomisari Bajram Hajdarmataj.
Gjithë shteti ndërkohë është në Durrës, ku po punohet për të shpëtuar jetët që ndodhen nën rrënoja. Ndërkohë, që edhe lëkundjet nuk kanë ndaluar. Herë pas here, me magnitudë shumë më të ulët dhe me fuqi më të vogël goditjeje, toka në Tiranë dhe Durrës vijon të dridhet.