Carlos Henrike Raposo është tani 55 vjeç dhe nuk dihet realisht çfarë bën në jetë, por me siguri ka histori pa fund për të treguar nga jeta e tij si futbollist i madh, pa luajtur asnjëherë realisht futboll!
Kjo është historia e Kaiser, i njohur ndryshe si gënjeshtra më e madhe në historinë e futbollit.
Carlos Henrique Raposo njihej nga të gjithë si Carlos Kaiser, që ishte edhe nofka e tij sepse ngjasonte shumë me Franz Beckenbauer kur ishte i ri.
Braziliani ka qenë pjesë e shumë ekipeve në karrierën e tij, por kurrë nuk luajti një ndeshej të plotë, për shkak të… mashtrimeve.
Herë kishte rekomandime nga futbollistë të njohur, herë me demek bisedonte në gjuhë të huaj, pa ditur realisht asnjë gjuhë të huaj, e herë përfitonte nga miqësia me gazetarë sportivë, që shkruanin histori filmash për të, si një futbollist i cili në Meksikë ishte një hero kombëtar dhe në Francë kishte shënuar gola pafund.
Karriera e tij nisi fillimisht me Botafogon, ndërsa më pas vijoi me Flamengon.
Në vitin 1979, Kaiser kaloi në Meksikë te Puebla, aventurë në të cilën nuk luajti asnjë ndeshje dhe u largua brenda pak muajsh.
Më pas erdhi rikthimi në Brazil, ndërkohë që kalvari i mashtrimeve vijonte.
Avantazhi më i madh i Kaiser ishte se kishte shoqëri të madhe me shumë futbollistë të njohur, por edhe gazetarë.
Një ndër emrat më të njohur, që edhe ka qenë një ndër miqtë më të mirë të Carlos Kaiser, ka qenë Renato Gaucho. Gjithashtu emra si Carlos Alberto Torres apo Ricardo Rocha ishin miq të mirë të Kaiser.
Në këtë mënyrë ai siguronte rekomandime në shumë klube. Forma fizike e Kaiser ishte e mirë dhe mashtrimi i tij këtu përqendrohej.
Ai gjithmonë firmoste kontrata të shkurtra dhe në javët e para paraqitej mirë në përgatitjet fizike.
Në momentin që do të niste sezoni dhe do të vinin ndeshjen, Kaiser bënte sikur ndjente shqetësime dhe ishte i dëmtuar.
Teknologjia në atë kohë nuk ishte si sot dhe e kishte të vështirë të zbulonte mashtrimin e Kaiser.
Pjesë e farsës ishin edhe disa gazetarë, që ishin miq të tij dhe shkruanin histori të sajuara për të.
Madje, në një artikull gazete shkruhej se aventura e Kaiser te Puebla në Meksikë po shkon aq mirë, sa që Meksika po përgatitet që t’i japë pasaportë për ta ftuar që të bëhet pjesë e Kombëtares.
Gjithashtu, braziliani mashtronte edhe për ofertat që kishte, duke e bërë veten si një lojtar të shumëkërkuar.
Kur u kthye në Brazil, Caiser ishte pjesë e Botafogos, ku mashtronte dhe hiqej si i dëmtuar.
Gjithashtu, duke përdorur telefona lodër, ai pretendonte që kishte oferta dhe hiqej sikur po fliste në telefon anglisht, deri në momentin që u kuptua nga doktori i klubit, i cili e dinte shumë mirë gjuhen. Më pas ai u bashkua me Flamengon, ku qëndroi për disa muaj.
Ishte kohë tjetër, media dhe interneti nuk ekzistonin si tani, ndërsa shumë menaxherë, drejtues e lojtarë të njohur në Rio mbanin lojën e Kaiserit fals, pasi ky i fundit kishte një lokal nate dhe u siguronte prostituta.
Një tjetër mashtrim i tiji ishte edhe që thoshte që ka luajtur në Argjentinë për gjigantët e Indipendientes dhe njeriu që e kishte çuar atje quhej Alehandro (tjetër mashtrim i madh, pasi ky person ishte mik i tij dhe njësoj si Caiser mashtronte).
Pikërisht Alehandro, duke e prezantuar veten si Carlos Enrique, do të shprehej se së bashku me Caiser fituan Copa Libertadores dhe Kupën Interkontinentale (Botërori i Klubeve) në vitin 1984. (Carlos Enrique ishte vërtet pjesë e ekipit.)
Në vitin 1986 mashtrimet e Caiser e çuan në Europë, konkretisht në Francë te Gazelec Ajaccio, që luante në Ligën e dytë franceze.
Atje luajti vetëm një ndeshje, edhe atë jo të plotë, teksa vitin e ardhshëm do të rikthehej në Brazil.
Kalvari i mashtrimeve vijoi, teksa në shtyp shkruhej se Kaiser ishte golashënuesi më i mirë për Gazelec Ajaccio.
Në Brazil ai u bashkua me Bangun, Fluminense dhe më pas Vasco de Gaman, ku vijonte përsëri me mashtrimet dhe dëmtimet e sajuara.
Carlos Kaiser e mbylli “karrierën” e tij në vitin 1992, ku si zakonisht nuk zhvilloi asnjë ndeshje me klubin e Guaranit.
Në vitin 2015, Kaiser firmosi një marrëveshje me një kompani britanike, e cila e ktheu në film historinë e famshme të mashtruesit më të madh në historinë e futbollit.
Filmi u quajt “Futbollisti më i madh, që kurrë nuk luajti futboll”.