Vendet skeptike të Bashkimit Europian kanë ndezur dritën jeshile për negociatat me Shqipërinë. Gjithë këto vite shtete si Holanda, Spanja apo Danimarka kanë qenë skeptike për vendin tonë, por duket se situata ka ndryshuar.
Dje Parlamenti i Holandës ka votuar pro hapjes së negociatave me vendin tonë, ndërsa mësohet se edhe Spanja me Danimarkën janë dakord që të mbahet mbledhja e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE, ku do të nisë hapja e kapitujve të Acquis.
Por hapja e këtyre kapitujve do të thotë se do të nisin hetimet dhe arrestimet në nivele të larta. Sapo të merret vendimi nga Këshilli i BE, fillon procesi screeaning, pra i përshtatjes së legjislacionit shqiptar me atë të BE.
Para disa vitesh puna niste me kapitullin 1 që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të mallrave dhe mbyllej me kapitullin 33 që ka të bëjë me aspektin financiar e buxhetor. Por pas anëtarësimit të Rumanisë dhe Kroacisë, metodologjia ka ndryshuar. Puna nis me kapitujt 23 dhe 24 dhe vazhdohet paralelisht me kapitujt e tjerë dhe kapitujt e fundit që mbyllen janë po 23 dhe 24.
Pra puna nis me ta dhe mbyllet me ta. Kapitulli 23 ka të bëjë me gjyqësorin dhe të drejtat themelore, ndërsa kapitulli 24 flet për drejtësinë dhe sigurinë. I gjithë procesi i bisedimeve (negociatave) është i lidhur me mbylljen e çdo kapitulli.
Në rastin e Kroacisë, bisedimet për anëtarësim zgjatën 6 vjet, gjithsesi ritmi i bisedimeve varet nga shpejtësia e reformave dhe harmonizimit me ligjet e BE-së, prandaj dhe kohëzgjatja e bisedimeve ndryshon dhe nuk ka garanci se kur do të mbyllen. Ajo që dihet është se kapitujt 23 dhe 24 do të hapen të parët dhe do të mbyllen të fundit, gjë që do të përcaktojë ecurinë e procesit të anëtarësimit.
Pra integrimi varet vetëm nga lufta antikorrupsion dhe kjo do të thotë që sapo të mbahet mbledhja ndërqeveritare dhe derisa të piqen kushtet për anëtarësim do të kemi arrestime në nivele të larta. Kjo do të thotë se hapja e negociatave është një mesazh shumë i keq për pushtetarët.
Përmbajtja e kapitujve
Kapitujt 23 dhe 24 janë zemra e procesit të integrimit europian. Pa përmbushur kërkesat që paraqiten aty, nuk avancojnë bisedimet. Por çfarë parashikohet në secilin prej tyre?
“Situata aktuale e sistemit gjyqësor në Shqipëri pasqyron tiparet e tranzicionit të shoqërisë sonë dhe, si e tillë, është akoma larg standardeve europiane. Qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë me fenomene si korrupsioni, mungesa e profesionalizmit, integritetit dhe pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat sjellin pengesa serioze në mirëfunksionimin e drejtësisë dhe ndikojnë në uljen e besimit të publikut në institucionet e saj. Për këtë arsye, shteti dhe shoqëria shqiptare janë tërësisht të interesuar për reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, thuhet në kapitullin 23.
Ndërkohë gazeta ka mësuar se SPAK ka në proces hetimi shumë dosje të bujshme. Bëhet fjalë për hetime sekrete që po zhvillohen si për bosë krimi, ashtu dhe zyrtarë të lartë. Ndërkohë mësohet se dhe SHBA e BE kanë rritur presionet dhe sinjalet janë që sapo të ndizet drita jeshile e negociatave do të nisë reprezalja në politikë.