Çështja e inceneratorëve ka përplasur ditën e djeshme Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste. Kreu demokrat Lulzim Basha ka denoncuar planin, sipas tij të Ramës për të dorëhequr Milva Ekonomin dhe për ta komanduar në Bashkinë e Durrësit.
Sipas Bashës, kryetarja aktuale nuk pranon që të firmosë tenderin abuziv për të çuar lekë tek inceneratori i Tiranës dhe sipas tij, për ta firmosur do të caktojë Milva Ekonomin. “Rama e ka mendjen të bëjë afera. Për inceneratorët po bëhet gati që ta shkarkojë për herë të pestë apo të 6 kryetaren e Bashkisë së Durrësit, se nuk pranon zonja që nuk ia dimë emrin se i ndërrojnë më shpesh se shefja e Kadastrës së Vlorës.
Nuk pranon që të firmosë një aferë qindra milionëshe për të çuar lekë tek inceneratori i Tiranës dhe po bëjnë gati Milva Ekonomin që të japë dorëheqjen si deputete dhe të komandohet atje që të firmosë shkresën dhe të vjedhin paratë prapë me inceneratorët. Këtu e ka mendjen ai, nuk e ka mendjen diku tjetër. Ky është plani. A do ta ndryshojë pas denoncimit që i bëra unë, mbetet për t’u parë.
Plani është që Milva Ekonomi të dorëhiqet, të komandohet nënkryetare, të ikë kjo nënkryetarja e 3 a e 4 dhe të firmosë shkresën për të çuar të paktën 100 milionë inceneratorëve. Gjithçka e Edi Ramës është e lidhur me paratë, për t’ua marrë qytetarëve dhe për t’ua çuar oligarkëve, në veçanti afera e tmerrshme e inceneratorëve të plehrave”, tha Basha.
Por pas kësaj deklarate ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se koha e PD me trajtimin e mbeturinave si në mesjetë ka vdekur dhe se kaosi urban ka përfunduar. Përmes një postimi, Rama ka akuzuar Berishën si personi që mbushi Shqipërinë me mbeturina. Kryeministri i kërkon Bashës të heqë dorë njëherë e mirë nga politika e akuzave dhe shpifjes që përdorte Berisha.
“Lulëzim, unë e di që Partia Demokratike ka një marrëdhënie fiziologjike me kaosin urban dhe mbeturinat, jo vetëm sepse një mbeturinë të komunizmit dhe një rrëmujaxhi patologjik e ka lider prej 30 vjetësh, po edhe sepse kurdo e kudo ka qeverisur plehrat i ka pasur male krenare! Por do ti s’do ti, doni ju s’doni ju, Shqipëria e Rilindjes Urbane dhe e fushave sanitare të përpunimit teknologjik të mbetjeve nuk do të ndalet deri kur në asnjë cep të shtëpisë sonë të përbashkët të mos digjen e mos kalben plehra, sepse mesjeta juaj ka vdekur e s’kthehet më!
Prandaj Lulzim hiq dorë nga nostalgjia për mbeturinat që ke mbi krye e mbi supe dhe harroje se duke sharë, akuzuar, shpifur do ta kthesh Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Fierin e Shqipërinë, në epokën e vargmaleve të turpshme me plehra në emër të popullit që mezi të pret në 25 prill”, shkruan Rama.