Ngjarja në Elbasan ku një person humbi jetën njollosi zgjedhjet e 25 prillit. Por kjo ngjarje nxori në pah dhe një fenomen tjetër, atë të krijimit të grupeve paralele me policinë nga ana e Partisë Demokratike.
Kjo nuk është pranuar nga asnjë ekspert dhe jurist në vend, pasi shumë persona flasin për terror e kërcënime, madje në disa raste dhe në kërcënimin e armës. Lidhur me vrasjen në Elbasan dhe grupet e PD, gazeta foli me kryetaren e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj, njëherësh dhe ish-prokurore në profesion. Ajo e ka cilësuar si antiligjore ngritjen e të tilla strukturave, ndërsa deklaron se në hetim duhet të merret dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
“Siç shihet qartësisht ne si Parti Socialiste jemi munduar që në këtë periudhë të gjatë të fushatës elektorale prej një muaji të tregojmë qetësi, pjekuri dhe maturi. Në asnjë rast ne si PS nuk kemi rënë pre e provokimeve. Ngjarja që ndodhi të mërkurën në Elbasan është padyshim një ngjarje tejet e rëndë, e lidhur kjo dhe me pohimet e Sekretarit të Përgjithshëm, njëherësh drejtuesi politik i PD në Qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, që tregon qartë që Partia Demokratike nuk ka arritur të shkëputet nga bandat, siç janë këto filozofi të vjetra kriminale të ardhjes në pushtet. Strukturuat gjasme për mbrojtjen e votave që PD pretendon se i ka krijuar në gjithë Shqipërinë, duken qartësisht që janë struktura paramilitare.
Por për faktin që ato janë krijuar, ato meritojnë të ndiqen penalisht si grupe të organizuara kriminale”, tha Felaj. Sipas saj, këto struktura i kanë dhënë vetes atributin që të ndalojnë njerëzit, duke shkelur ligjet e këtij vendi. Felaj u shpreh se askush nuk e ka tagrin të ndalojë qytetarët, siç po bëjnë këto struktura paramilitare të Partisë Demokratike, përveç agjencive ligjzbatuese.
“Dhe vetëm të ndaluarit që iu bëhet qytetarëve nga këto grupe apo persona, përbën vepër penale, pasi po heqin pa të drejtë lirinë e qytetarëve. Kështu që thirrja ime është që prokuroria të veprojë sa nuk është vonë ndaj këtyre strukturave paramilitare të PD dhe të gjithë pjesëtarët të marrin ndëshkimin që meritojnë”, tha kryetarja e Komisionit të Sigurisë. Felaj deklaroi më tej se ndjekje penale duhet të ketë dhe për Bardhin.
“Ajo që ata bënë të mërkurën në Elbasan është e qartë që këtë për të ardhur në pushtet janë të gatshëm që të vrasin njerëz. Ekzekutimi i Pjerin Xhuvanit ishte një vrasje me gjakftohtësi në një lokal. Ndërkohë Gazment Bardhi është një person që duhet të procedohet penalisht për vrasjen në Elbasan, pasi është një person që ka frymëzuar dhe organizuar grupe paramilitare, duke i nxitur që të shkaktojnë dhunë, kaos dhe prishin qetësinë e qytetarëve. Këto sjellje nuk duhet të tolerohen”, tha ajo.