Ish-kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Sot”, ka komentuar aktualitetin politik në vend, ndërsa ka zbardhur dhe të fshehtat e opozitës. Spahiu është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që të nisë sa më shpejt izolimi i Berishës e Metës. Sipas tij, ata u ngjasojnë familjeve mafioze, të cilat janë herë në luftë dhe herë në miqësi me njëra-tjetrën.
Spahiu ka qenë nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai ka treguar të fshehta se si Berisha e Meta kërcënojnë dhe shantazhojnë gjithë anëtarët e gjyqësorit dhe prokurorisë. Po ashtu ai ka thënë se djegia e mandateve nga PD u bë për të shpëtuar Berishën. Sipas tij, Basha nuk e donte diçka të tillë, por e ka detyruar Berisha, pasi me djegien e mandateve ka çuar një mesazh te ndërkombëtarët.
Spahiu ka thënë po ashtu se PD do ndahet në 5 klane, ndërsa zgjedhjet vendore do realizohen. Ai ka deklaruar se më 30 qershor mund të ketë incidente, por nuk do pengohet procesi. Ish-kreu i AK, u shpreh se ata që do e pësojnë janë militantët. Sipas tij, frika më e madhe e dyshes Meta-Berisha është reforma në drejtësi dhe për të ndalur atë ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka. Gjithashtu ai ka thënë se e vetmja mënyrë që të kemi një politikë të re, është duke larguar Berishën.
-Zoti Spahiu, pak ditë më parë PD e LSI zyrtarizuan koalicionin mes tyre, por ju ishit ndër të paktët që reaguat duke shfaqur mjaft kritika. Pse kemi sërish një “koalicion qelbësirash”?
PD dhe LSI nuk i pyet kush, madje as kryetarët e tyre. Monika dhe Luli janë dy manekinë që kanë detyrë të buzëqeshin. PD dhe LSI s’janë organizata politike por dy familje. Kryefamiljarët Berisha dhe Meta herë bëjnë sikur martohen dhe herë sikur divorcohen. Rrinë në hije dhe lajnë hesapet me logo partie dhe dy figurantë. Është naivitet politik dhe injorancë për ata që kanë iluzion se Mona dhe Luli janë kryetarë. Kush insiston në këtë pikë është fyerje inteligjencës!
-Pse sipas jush, Meta e Berisha kanë bërë lojë si macja me miun me njëri-tjetrin për kaq shumë vite. Nga një kërkim i thjeshtë në internet mund të gjesh akuza nga më të rëndat që i kanë bërë njëri- tjetrit, por sot janë sërish bashkë. Pse Meta shkoi sërish te Berisha?
Po kjo histori i përngjan precedentëve të familjeve mafioze! Kështu ka bërë Eskobari në Kolumbi, kështu ka vepruar Al-Kapone në Amerikë, kështu bënte El-Chapo në Meksikë, Don Korleone ….. dhe të gjitha familjet mafioze. Herë janë në luftë me njëra-tjetrën dhe bëhen aleatë kur super-shteti i kërcënon lirinë, familjen dhe pasurinë. SHBA i ka dhënë mesazhet e qarta për izolimin e Berishës, Bashës dhe Ilir Metës. Dihet që zyrtarisht SHBA ka një çështje të hapur penale për Lulzim Bashën. Dihet zyrtarisht që SHBA i kërkoi prokurorit Llalla hetimin e Berishës dhe Metës. Dihet zyrtarisht se SHBA i hoqi vizën familjes Berisha. “Armiku” dhe rreziku i përbashkët prodhoi “Aleancën e Qelbësirave”.
-A janë trembur Berisha e Meta nga reforma në drejtësi dhe duan të fusin në kaos vendin, pasi ish-kryeministri bën thirrje për luftë civile?
Trembja është pak. Ata janë shumë të rrezikshëm në këto momente. Dy individë që i kanë shpallë luftë Amerikës dhe Evropës, mund të kafshojnë nga paranoja çdo kundërshtar dhe mund ta kallin Shqipërinë dhe shantazhojnë e kërcënojnë me jetë anëtarët e drejtësisë. Eksperienca ime pas Gërdecit, e cila u publikua edhe në kabllogramet e ambasadës amerikane te Wikiliks tregon qartë se çfarë shantazhi i bëjnë këta drejtësisë. Jam i vetmi që 8 vite më parë kërkova arrestimin e Berishës dhe faktet flasim vetë se çfarë pengesash dhe kurthesh kalova.
-Opozita dogji mandatet dhe ka nisur me bllokime rrugësh dhe protesta mujore. Si e shihni këtë vendim të opozitës dhe a fshihet diçka tjetër pas apo vërtet Basha e Kryemadhi dogjën mandatet për të mirën e qytetarëve?
Basha dhe Kryemadhi nuk donin të digjnin mandatet, pasi këtë e di personalisht prej tyre. Basha dhe Kryemadhi dogjën mandatet për të shpëtuar Berishën nga drejtësia amerikane, me logjikën që: “Po prekët Berishën, do digjet Shqipëria dhe destabilizohet rajoni”. Mandatet nuk u dogjën as për drogën e Edi Ramës dhe as për vjedhjen e votave sepse të dyja kanë ndodhur vite më parë dhe Mona-Luli nuk dogjën asgjë.
-Një tjetër vendim ekstrem është bojkoti i zgjedhjeve. Si e shihni këtë lëvizje?
Sërish vendim personal i Sali Berishës. Investimi i fundit i tij në jetë është Lulzim Basha. Ka investuar çdo gjë që të trashëgojë partinë e tij pas vdekjes me garancinë që është shok i dy fëmijëve të tij dhe që ai t’i mbrojë pas disa vitesh. Investimi dhe dështimi i tij në jetë paradoksalisht, lidhet me Lulzim Bashën. Aq shumë ka investuar sa para një jave e shprehu: “Lulzim s’do bëhesh kurrë lider nëse nuk bëhesh kryeministër”. E tha sepse ka parë që vetëm karrigia e pushtetit mund ta forcojë, pasi askush nuk e merr seriozisht Lul Bashën. Kur bëhen listat, boshatiset partia dhe askush nuk takon Lulin. Gjithë strukturat mbushin klubet rrotull shtëpisë së Saliut ose zyrës së tij, që jo rastësisht të dyja i ka tek objektet e Bashkim Ulajt.
-Ka shumë zëra që flasin se mund të kemi sërish një lojë Rama-Basha në kurriz të LSI. Sa qëndron një teori e tillë?
Jo, jo, nuk do ketë një pazar Rama-Basha sepse Berisha nuk ka më besim tek marrëveshja me Ramën. Berisha s’ndjen më garanci nga marrëveshjet me Ramën sepse ky i fundit (sipas Berishës) mund të lajë hesapet me Berishën duke pasur alibinë amerikane. Pra të thotë që unë s’doja ta arrestoja, por e bënë amerikanët në kokë të vet. Që Rama s’ka këllqe ta arrestojë Berishën këtë e kupton çdokush, jo se e ka frikë, por ka hall se hapet loja dhe i vjen radha. Në këto rrethana të 4 peshkaqenët Rama-Meta-Berisha-Basha në thelb synojnë dështimin e vetingut dhe mos integrimin në BE.
-LSI e PD kanë kërcënuar se do sulmojnë qendrat e votimit më 30 qershor. E mendoni se do kemi një skenar të tillë apo Basha do dorëzohet rrugës dhe do futet në zgjedhje?
Unë s’di çfarë do ndodhë në 30 qershor, por jam 100% i sigurt çfarë do ndodhë në 1 korrik: Berisha, Monika, Meta dhe Basha do jenë duke bërë plazh në Gjirin e Lalzit. Rreth 200 demokratë të vërtetë do jenë në burg se do arrestohen duke penguar zgjedhjet. SHBA dhe BE do njohin rezultatin e zgjedhjeve. Disa mini protesta me autobusë që vijnë nga Kamza, Paskuqanj, Domja, Vora, Tropoja, Lezha dhe nga bashkitë që do dorëzojë PD-ja. Pra ata nuk do futen në zgjedhje. Ju thash që investimi i fundit i Berishës në jetë është Lulzim Basha. Humbja e zgjedhjeve do shkaktonte dorëheqjen e pashmangshme të Lul Bashës dhe shkatërrimin e investimit Berisha, i cili s’ka menduar për “Plan B”, pasi largoi çdo profil të lart dhe personalitet nga partia.
-Astrit Patozi ka dalë me një parti të re. Si e shihni rikthimin e tij në politikë dhe futjen në zgjedhje dhe akuzat se pas tij fshihet Berisha?
Astriti është një nga mijëra viktima të pabesive dhe tradhtive të Berishës. Sot lista e të tradhtuarve është më e gjatë se ata që kanë mbetur. Nëse në 2017 afro 300.000 të tradhtuar e bojkotuan në votim Partinë Demokratike, në 2021 kjo shifër do dyfishohet. Një lider opozite duhet të bashkojë opozitën dhe jo ta përçajë. Një lider opozite duhet të afrojë dhe jo largojë njerëz.
-Si e shihni rolin e Rudina Hajdarit, e cila refuzoi të digjte mandatin?
Unë parashikoj që deri 2021 Partia Demokratike do çahet në 5 parti. Këtë nuk e kam bindje por informacion të sigurt. Rudina, Astriti, Jozefina dhe dy grupe të tjera shumë fuqishme do shkëputen nga PD. Unë s’di të them sa të suksesshme do jenë këto 6 degë të Partisë Demokratike por do jenë aq të afta sa për ta çuar në dështim dhe shkatërrim historik Partinë Demokratike e cila e mbylli misionin e saj.
-Ju u larguat nga AK. Si e shihni futjen e saj në zgjedhje dhe a ju mungon politika?
U largova se gabova dhe kam kurajën ta pranoj publikisht. Nuk dua të ndikoj në vendimmarrjet e AK sepse s’e kam më këtë të drejtë.
-Sipas jush, çfarë duhet të bëhet që të mos kemi më të njëjtën klasë politike?
Shumë thjesht. S’duhet mbështesim të keqen më të vogël por një alternativë që i shpall luftë edhe PD edhe PS. Ato janë nofulla të së njëjtës gojë. Ajo gojë duhet të heshtë.
-A ka një rrugë për të rrëzuar Edi Ramën?
Pooo, Edi Rama është i rrëzuar. Problemi është që llogoren tjetër e mban peng shtetasi Berisha. Ndërkombëtarët nuk duan rikthimin e tij për herë të 4 në pushtet. Po ashtu edhe shumica e shqiptarëve s’duan të kthehen 30 vite pas. Nxirrni në pension shtetasin Berisha dhe të nesërmen gjithë bota dhe Shqipëria e largon qeverinë Rama.
Intervistoi: Kliti Topalli