Prej një orë përfaqësuesit e Këshillit Politik janë në takim me ambasadoren amerikane Yuri Kim për të arrituar një konsensus të mundshëm edhe pse afati i vendosur i 31 Majit ka skaduar.
Por cilat janë 3 pikat për Reformën Zgjedhore që ndajnë palët politke për të patur një marrëveshje?-
E para është identifikimi elektronik biometrik, që do të thotë, marrja e shenjave të gishtave për çdo votues, hedhja e shenjës në një server kombëtar. Kjo kërkesë e opozitës, që shmang votimin më shumë se një herë, apo votimin e kryefamiljarit për gjithë familjen, votimin e personave që nuk janë fare në Shqipëri etj., është pranuar nga maxhoranca.
Depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore është pika e dytë e ngërçit. Maxhoranca në draftin e paraqitur, parashikon që të gjitha komisionet zgjedhore, nga qendrat e votimit në Komisionet Zonale Zgjedhore të përbëhen, jo më nga përfaqësues të partive, por nga punonjës të administratës, ose qytetarë që i plotësojnë kriteret për të punuar në administratë.
Zgjedhja e tyre do të bëhet me short nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, procedurë, që, sipas maxhorancës, garanton paanshmërinë e komisoneve jopartiake. Si garanci do të jenë edhe përfaqësuesit e partive, por pa të drejtë votë, vetëm si vëzhgues.
Opozita e quan departizim, jo depolitizim, me pretendimin se, vëretet nuk do të jenë përfaqësuesit e partive, por punonjësit e administratës publike, nuk mund të quhen jopolitikë, pasi maxhoranca në 7 vjet e ka mbushur administratën me militantë.
Propozimi i maxhorancës është që të ketë një Komisioner Zgjedhor në çdo qendër votimi, apo Komision Zonal, me kushtin që anëtarët e tjerë, pa të drejtë vote të jenë nga partitë politike. Dhe kjo, do të pranohet vetëm nëse garantohet 100% identifikimi biometrik elektronik.
E treta, më pak problematike, është Çështja e Kolegjit Zgjedhor. Maxhoranca e quan proces të padiskutueshëm ndërtimin e Kolegjit me gjyqtarët e Gjykatës së Apelit që e kanë kaluar vetingun, ndërsa opozita kërkoi në fillim që të mos përcaktohej nëse e kanë kaluar apo jo.