Edhe pse me numër të reduktuar anëtarësh, Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar procesin e vetingut. Shumë emra të shkarkuar janë ankuar për një proces jo të drejtë ligjor, ndërsa nuk kanë munguar dhe paditë në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Por dy emra tashmë jashtë sistemit të drejtësisë i janë drejtuar me padi të ndara Kushtetueses.
I pari është ish-gjyqtari Artur Selmani. Ai ka bërë një kërkesë për të shfuqizuar vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili mbajti në fuqi vendimin për shkarkimin e gjyqtarit nga detyra. Padia e tij ka kaluar në Kolegj dhe anëtarët Vitore Tusha, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji vendosën që ajo të mos kalojë për shqyrtim në seanca plenare. Në padinë e tij, ish-prokurori Selmani ka pretenduar se vendimi i Kolegjit për shkarkimin e tij nga detyra është në kundërshtim me normat Kushtetuese, ka cenuar parimin e sigurisë juridike, janë cenuar pozitat procedurale të tij, është cenuar standardi i arsyetimit, e drejta për një proces të rregullt ligjor etj. Por, trupa gjykuese e Gjykatës Kushtetuese në dhomë këshillimi ka arsyetuar se ligjit i vetingut, mbi bazën e të cilit është shkarkuar ish-prokurori, është verifikuar më parë nga Gjykata Kushtetuese.
“I gjithë procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si pjesë e paketës së reformës në drejtësi, edhe pse është një masë e jashtëzakonshme dhe me karakter të përkohshëm, është ngritur nga kushtetutëbërësi në rang kushtetues”, arsyeton trupa gjykuese.
Padia e Besnik Canit
Një tjetër emër që ka bërë padi në Kushtetuese është nga prokurori Besnik Cani, ish-anëtar i KLP, i shkarkuar nga KPA. Objekti i padisë së Canit është: “Verifikimi i zgjedhjes dhe shfuqizimi pjesërisht i vendimit nr. 82/2017 “Për miratimin e listës në bllok të kandidatëve të zgjedhur në institucionet e rivlerësimit, sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë””, të Kuvendit të Shqipërisë, vetëm për sa i përket zgjedhjes së z. Luan Daci si anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Pezullimi pjesërisht i vendimit nr. 82/2017 “Për miratimin e listës në bllok të kandidatëve të zgjedhur në institucionet e rivlerësimit, sipas ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të Kuvendit të Shqipërisë, vetëm për sa i përket zgjedhjes së z. Luan Daci si anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”. Pra Cani ka ankimuar vendimin e Kuvendit për emërimin e zotit Luan Daci si anëtar. Por gjykata në argumentin e saj shprehet se ai nuk ka kompetencë të bëjë një padi të tillë në Kushtetuese. “Për sa më sipër, Kolegji vlerëson se kërkuesi, si individ, nuk mund të paraqesë drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese çështje që sipas nenit 131, pika 1, shkronja “e”, të Kushtetutës lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre. Individi kërkues nuk është subjekt i pakushtëzuar dhe nuk mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për kontrollin e zgjedhshmërisë së funksionarëve të organeve kushtetuese, kompetencë që Kushtetuta dhe ligji nr.8577/2000, i ndryshuar, ua ka njohur subjekteve përkatëse iniciuese”, thuhet në vendim./Sot