Aktori i madh shqiptar, Koço Qëndro, ka ndërruar jetë këtë të shtunë në moshën 99 vjeçare. Një artist i përmasave të jashtëzakonshme, që Korça dhe Shqipëria patën fatin të kenë, mbylli sytë përgjithmonë.
I lindur në fshatin Senicë të Delvinës, Koço Qëndro përjetoi një rini krejt ndryshe nga brezat e sotëm. Në vitet e luftës, ende adoleshent, ai u bë partizan dhe mori pjesë në luftimet në qarkun e Korçës.
Edhe pse ëndrra e tij ishte të bëhej mësues, jeta e çoi drejt një rruge tjetër, asaj të artit, ku do të linte gjurmë të pashlyeshme.
Rreth fillimit të viteve ’60-të, ai spikati si aktor i Estradës së Maliqit dhe më pas iu bashkua trupës së teatrit të Korçës, për të mos iu ndarë më kurrë skenës. Me dhjetëra role në teatër, estradë dhe kinematografi, Koço Qëndro u kthye në një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar.
Mes roleve që mbeten të paharrueshme në kujtesën e publikut janë Sir Endrju Eguiçik në “Nata e Dymbëdhjetë” të Shekspirit dhe Harpagoni në “Kopraci” të Molierit, personazhe që ai i solli në skenë me një mjeshtëri unike.
Edhe në moshën 92-vjeçare, ai riktheu në skenën korçare “Koprracin”, duke dëshmuar se arti për të nuk kishte moshë. Në kinematografi, ai ka lënë gjurmë me interpretime karakteriale që plotësojnë portretin e tij si aktor poliedrik.
Te filmi “Përballimi” (1976), ai spikat në rolin e Sefedinit (pronari i mullirit), duke sjellë me vërtetësi tipologjinë e tregtarit të kohës. Batuta e tij në këtë film: Ore mos na e vini re se helbete pa shkollë jemi, po unë desha të di, ju për budallenj na merrni neve?, është cituar shpesh si një nga pasazhet e tij më popullore.
Gjithashtu, ai ka dhënë një kontribut të spikatur në filmin “Vendimi” (1984) në rolin e Aleks Xinxës, si dhe në filmat “I teti në bronz” (1970) dhe “Vitet e para” (1965). Çdo pasazh i tij në film karakterizohet nga një natyrshmëri e rrallë dhe një plastikë që i jepte jetë çdo figure, qoftë ajo dramatike apo komike.
Në rrëfimet e tij, Koço Qëndro kujtonte me shumë emocion bashkëpunimin me emra të mëdhenj të teatrit shqiptar, si Piro Mani, Dhimitër Orgocka, Pandi Raidhi dhe Sokrat Mio, artistë që shënuan historinë e skenës shqiptare.





