Gjykata Kushtetuese prite të ketë 9 anëtarë para se të merret vendimi për shkarkimin e presidentit. Me gjasë në vjeshtë nis procesi, por sinjalet janë se Kushtetuesja do ketë 9 anëtarë.
Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja janë të lidhura me njëra-tjetrën. Gjykata e Lartë duhet të emërojë 3 gjyqtarë në Kushtetuese, por nuk ka kuorumin e nevojshëm. Kjo gjykatë ka 7 anëtarë nga 10 që i duhen. Por ky problem duket se po zgjidhet. Këshilli i Lartë Gjyqësor është vënë në lëvizje për të çuar në 10 numrin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Dje iu dërgua presidentit emri i Artur Klasë për t’u emëruar në këtë gjykatë, ndërsa u kualifikua edhe emri i Asim Vokshit. “Në kuadër të këtij prioriteti, si dhe vendimmarrjes së datës 13.07.2021, Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve të z. Artur Kalaja, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, shpallur me vendimin nr.87, datë 26.02.2020”, shprehet KLGJ.
Sa i takon pozicionit të lirë në fushën e së drejtës administrative, KLGJ ka kualifikuar zotin Asim Vokshi. “Në funksion të jetësimit të një ndër prioriteteve të tij kryesore, atij të vendosjes në funksionim të plotë të Gjykatës së Lartë, duke emëruar individë me integritet të lartë etik dhe profesional, pas përfundimit të procedurave të verifikimit për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, shpallur me vendimin nr.245, datë 09.07.2021, Këshilli vendosi miratimin e renditjes së kandidatëve si më poshtë: 1. Artur Kalaja; 2. Asim Vokshi; 3. Gent Medja.
Në vijim të vendimmarrjes së mësipërme, Këshilli vendosi të propozojë për emërim në Gjykatën e Lartë, në pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur me vendimin nr. 245, datë 09.07.2021, kandidatin z. Asim Vokshi, duke disponuar gjithashtu edhe për të drejtën e ankimit të kandidatëve brenda 5 ditëve, nga dita e njoftimit të vendimit”, shprehet KLGJ.
Ndërkohë shumë shpejt pritet edhe emërimi i Dariel Sinës nga jashtë sistemit, duke e çuar në 10 numrin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. Pritet që brenda korrikut të mbyllet ky proces.
Ngritja e Kushtetueses
Sipas ligjit, Kushtetuesja përbëhet nga 9 anëtarë, ku 3 i zgjedh Kuvendi, 3 presidenti dhe 3 Gjykata e Lartë. 2 institucionet e para e kanë përmbushur detyrimin, por Gjykata e Lartë ende. Arsyeja është sepse nuk ka kuorumin për të thirrur mbledhjen e gjyqtarëve. Sipas ndryshimeve të fundit, Gjykata e Lartë duhet të ketë së paku 10 anëtarë që të hedhë në votim emrat që do shkojnë në Kushtetuese.
Aktualisht janë 9 kandidatë që kanë shfaqur interes. Emrat i ka marrë në dorë KED, e cila ka nisur verifikimet. Nga na tjetër KLGJ po punon paralelisht për të çuar në 10 numrin në Gjykatën e Lartë. Sinjalet janë se në shtator Gjykata e Lartë do ketë 10 emra dhe do përzgjedhë lehtësisht 3 emrat e Kushtetueses.
Por kjo do të thotë se shtohen telashet për presidentin. Meta momentalisht ka disa anëtarë të Kushtetueses besnikë të tij. Por në momentin që do shkojnë 9 anëtarët nga Gjykata e Lartë balancat do ndryshojnë dhe shanset për shkarkimin e tij shtohen.