Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” se 44 respiratorë të rinj i janë shtuar flotës së aparaturave jetëshpëtuese, me financim nga buxheti i shtetit për përballimin e pandemisë në vend.
Ajo theksoi se në asnjë moment nuk janë ndalur përpjekjet për fuqizimin e kapaciteteve spitalore për përballimin e situatës së Covid-19. “Edhe 44 respiratorë të rinj, të avancuar dhe me standarde i shtohen flotës së aparaturave, një investim i buxhetit të shtetit për këtë vit, për përballimin e epidemisë.
Me investimet që kemi bërë, me mbështetjen që kemi pasur, kemi sot 507 respiratorë në dispozicion të strukturave tona Covid dhe jo Covid, nga 200 që ishin në fillim të epidemisë, pra ky kapacitet është rritur më shumë se 2.5 herë”, tha Manastirliu. Ndër të tjera Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se po bëhen përgatitje edhe për hapjen e spitaleve rajonale sipas skenarëve të parashikuar.
Ajo theksoi se janë bërë gati tashmë 5 spitalet e para. “Nuk do të lëmë pa forcuar edhe kapacitetet e spitaleve rajonale, pasi sikurse ne e kemi planifikuar, 5 spitalet e para rajonale tashmë janë bërë gati. Flota e aparaturave gjithashtu është e gatshme dhe pritet që të fuqizohet në vazhdim. Janë 600 shtretër në dispozicion në skenarin e parë dhe në tërësi 1600 shtretër për t’u përballur me situatat që mund të vijnë si pasojë e pandemisë Covid-19”, tha Manastirliu.
Sakaq, ministrja bëri me dije se në prag të festave të fundvitit strukturat shëndetësore do të jenë në gatishmëri të plotë, ndërsa ka kërkuar edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të shmangur grumbullimet dhe të respektojnë rregullat. “Jemi në një periudhë festash, ku padyshim që i gjithë ekipi i shëndetësisë është në gatishmëri edhe të shtuar madje.
Por duhet edhe të ndërgjegjësojmë qytetarët, të kenë kujdes në këtë periudhë, për të festuar brenda familjes së vogël dhe për të mos pasur më pas shkaqe të cilat të na çojnë në rritje të numrit të infektimeve, për arsye të grumbullimeve në kuadër të festive”, tha Manastirliu.