Në një kohë që Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën, Dr. Hans Kluge tha një ditë më parë se situata e COVID në vendin tonë është në kontroll, një deklaratë e tillë nuk ka qenë me mjaftueshme për presidentin Ilir Meta.
Mësohet se në takimin që kanë zhvilluar ditën e sotme, nisur deklaratës së shpërndarë nga vetë Presidenca, Meta i ka folur për përkeqësimin e situatës së COVID në Shqipëri si edhe për marrjen e masave.
Meta thotë se duhet rritur numri i testimeve, por dje nuk ka qenë i këtij mendimi Kluge, ku deklaroi se ‘testimet nuk duhet të jenë qëllim në vetëvete’.
“Zhvillova sot një takim të frytshëm me Drejtorin Rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën, Dr.Hans Kluge.
Diskutuam për përkeqësimin e ritmeve të përhapjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë dhe masat efektive të menjëhershme, që duhen ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.
Theksova nevojën e rritjes të buxhetit për sistemin shëndetësor, shtimin e numrit të testimeve dhe kapaciteteve spitalore për trajtimin e të prekurve, plotësimin pa zvarritje të mëtejshme të nevojave spitalore, si dhe unifikimin e protokollit të trajtimit në kushtet e shtëpisë.
Është tepër e domosdoshme rimbursimi i shpenzimeve për barnat dhe shërbimet për të sëmurët me COVID-19, veçanërisht të pensionistëve e qytetarëve në nevojë, të cilët trajtohen në banesë dhe që për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme e kanë të pamundur përballimin e kostove të larta ekonomike’, shkruan Meta.
Në konferencën që pati ditën e djeshme, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën, Dr. Hans Kluge tha se situata e COVID në vendin tonë është në kontroll, se testimet nuk duhet të jenë qëllim në vetëvete, një përgjigje kjo për dy akuzat e ardhua nga opozita, mes tyre të vetë kreut të Shtetit Ilir Meta.