Presidenti Ilir Meta vijon të ketë një gjuhë të butë ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të Covid-19 marrëdhëniet Meta-Rama ndryshuan dhe duket se përplasjet ia kanë lënë vendin qetësisë.
Një gjë e tillë u pa edhe ditën e djeshme gjatë kohës që presidenti Meta ishte në një interviste televizive, ndërsa nuk lëshoi asnjë kritikë në adresë të qeverisë. Kreu i shtetit u kujdes që të thurte edhe lavde për mazhorancën, kur theksoi se Rilindja Urbane ka qenë e domosdoshme, pasi sipas tij, falë saj shumë qytetete të Shqipërisë janë shndërruar në vepra të bukur dhe atraksione turistike. Madje, ndryshe nga herët e tjera kur akuzonte mazhorancën për shpopullimin e vendit, dje Meta theksoi se për këtë fenomen kanë të gjithë përgjegjësi.
“Unë sapo vij nga një vizitë tre ditore në zonën e Kolonjës, një nga zonat më të bukura të Shqipërisë ku pashë disa zhvillime pozitive siç ishte qendra e re e Ersekës, që e kanë ndryshuar pamjen dhe disa investime të tjera, por ajo që më trishtoi shumë që më bind edhe një herë në bërjen e kësaj beteje për të rikthyer Kushtetutën, ligjshmërinë, shanset e barabarta të qytetarëve, është pikërisht fakti që njerëzit vazhdojnë të largohen, zonat vazhdojnë të zbrazen, dhe kjo është shokuese për të ardhmen tonë dhe për ato investimet që ju përmendët dhe që unë i përmenda mbeten pa vlerë sepse mbeten pa njerëz nëse do të vazhdojnë kështu”, deklaroi ai.
I pyetur për paqen midis tij dhe kryeministrit Rama nëse do të shkojë përtej situatës me pandeminë e koronavirusit, presidenti Meta deklaroi se qëndrimet e tij lidhen vetëm me situatën e Covid-19. “Sjelljet e mia duhen parë në këtë kontekst, të interesit më të mirë të përbashkët, për të tejkaluar këtë situatë dhe unë gjithmonë kam bërë thirrje që edhe në këtë situatë duhet të ruajmë ligjshmërinë, duhet të respektojmë kushtetutshmërinë dhe të bëhemi bashkë”, u shpreh ai.
Kritika Bashës për djegien e mandateve
Por ndryshe nga qëndrimi i moderuar që pati për mazhorancën, presidenti Ilir Meta vijoi të kritikojë vendimin e opozitës për të braktisur Parlamentin dhe për të djegur mandatet parlamentare, ndërsa theksoi se edhe bojkoti i zgjedhjeve vendore ishte gabim. Sipas tij, këto 2 vendime të opozitës ishin të papranueshëm. “Ajo që unë e kam bërë të qartë si mosvërejtje apo si mospajtim apo si një shqetësim shumë të madh ka qenë prej kohësh fakti që opozita u largua nga Parlamenti dhe që nuk mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit përpara se ato të shfuqizoheshin me një platformë gjithëpërfshirëse. Këto janë dy momentet që janë komplekse sepse duhet të jemi të qartë se hapësirat e saj në Kuvend u ngushtuan jashtëzakonisht shumë, por në fund fare ajo ra pre e një provokimi duke u larguar në atë mënyrë ashtu si edhe u zëvendësua në një mënyrë mjaft të përshpejtuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe procedurat parlamentare”, tha Meta.
Këmbëngul tek shkarkimi i Dvoranit
Më tej, presidenti Ilir Meta foli edhe për çështjen “Dvorani”, që prej kohësh ka sjellë replika mes KLGJ-së dhe presidentit Ilir Meta, që e ka akuzuar kreun e KED, për shkelje të Kushtetutës. Presidenti këmbënguli se mandati i zotit Dvorani ka përfunduar që prej shtatë vitesh, ndërsa kërkoi largimin e tij. “Se çfarë do të ndodhë kjo është diçka tjetër që nuk varet vetëm nga unë, së pari duhet të keni parasysh konsideratën, nëse e keni lexuar të plotë kërkesën që institucioni i Presidentit i ka bërë Këshillit të Lartë Gjyqësor, që mandati i zotit Dvorani ka përfunduar që prej shtatë vitesh, kur kryetari i Gjykatës së Lartë të asaj kohe i ka dërguar Presidentit të asaj kohe, zotit Nishani, përfundimin e mandatit të tij dhe zëvendësimin e tij. Bazuar mbi këtë akt presidenti Nishani konform Kushtetutës ka propozuar emrin e një gjyqtari tjetër për të zëvendësuar, pikërisht zotin Dvorani. Kjo gjë nuk ka ndodhur sepse Kuvendi në atë kohë nuk e ka miratuar gjyqtarin tjetër dhe për shkak edhe të shumë arsyeve të tjera që janë në letër dhe të faktit që gjykata u zbraz dhe mbeti me vetëm një anëtar në detyrë, por që i kishte mbaruar mandate”, nënvizoi Meta.