Komisioni i Ligjeve i ka hapur dje rrugën ndryshimeve ligjore që lehtësojnë marrjen e shtetësisë shqiptare të personave që jetojnë jashtë vendit e dëshirojnë të kenë një lidhje të qëndrueshme juridike me shtetin shqiptar.
Kështu, çdokush që provon se ka origjinë nga një i paralindur, deri në shkallë të tretë me origjinë shqiptare, do të mund të fitojë shtetësinë. Ndryshimet u sqaruan në mbledhjen e djeshme të Komisionin të Ligjeve nga zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila fillimisht gjatë fjalës së saj u fokusua tek rrethanat për marrjen apo heqjen e shtetësisë shqiptare.
“Një nga mënyrat e fitmit të shtetësisë shqiptare është fitimi i pastër përmes origjinës që është lidhja familjare deri në tre shkallë, kriteri i qëndrimit i lidhur me banimin në mënyrë të vazhdueshme, i disponimit të të ardhurave apo burimeve financiare të mjaftueshme për jetesën, përcaktimi i kritereve të zotërimit të gjuhës shqipe si dhe njohurive bazë të historisë së Shqipërisë”, deklaroi ajo.
Më tej, zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda theksoi se projektligji i ri parashikon dhe rregullon rastet lidhur me investitorët, kur vendi sipas saj, ka interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës apo ekonomisë dhe sportit. “Është rregulluar fitimi i shtetësisë shqiptare në raste të veçanta ku Republika e Shqipërisë ka një interes kombëtar, apo interes në fushën e arsimit, shkencës”, nënvizoi zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda.
Por ndryshimet e reja u kundërshtuan nga deputetët e opozitës parlamentare, e sidomos nga zoti Adriatik Alimadhi, sipas të cilit duhet të ketë favorizime më të shumta për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, apo Mal të Zi. “A është marrë parasysh interesi kombëtar duke marrë parasysh shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi”, deklaroi deputeti “ballist”, Adriatik Alimadhi. Megjithatë, Komisioni i Ligjeve pas diskutimeve votoi nen për nen projektligjin për shtetësinë dhe tashmë diskutimet do të vijojnë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare si Komisioni përgjegjës për këtë ligj.