Zyrtarizohen 3 anëtarët e parë të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Pak ditë më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë kualifikoi 15 prokurorë për t’u bërë pjesë e SPAK, por që ata të emërohen zyrtarisht, duhet të pritet procesi i vetingut në të dyja shkallët. Për 3 nga të kualifikuarit e KLP duket se vetingu nuk është me shqetësim. Prokurorët Enkeleda Millonai, Ened Nakuçi dhe Arben Kraja duket se i kanë larë “hesapet” me organet e vetingut.
Të tre ata jo vetëm që janë konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por ka skaduar edhe afati që çështjet e tyre të shkojnë tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Sipas ligjit, Komisioneri Publik ka 15 ditë afat për të ankimuar një vendim të KPK, që nga momenti që ai zbardhet i plotë. Nëse i marrim rast pas rasti, vendimi për Enkeleda Millonain është zbardhur në datën 1 korrik dhe Komisioneri Publik kishte afat deri në datën 16 korrik për ankimim. Ky afat ka mbaruar, çka do të thotë se Millonai është zyrtarisht e konfirmuar në detyrë dhe anëtare e SPAK. Nga ana tjetër, vendimi për Ened Nakuçin është zbardhur i plotë në faqen e KPK në datën 9 korrik. Kjo do të thotë se afati i fundit i Komisionerit për ankimim ishte data 25 korrik, afat i cili ka skaduar. E njëjta gjë vlen edhe për prokurorin Arben Kraja. Vendimi për të është zbardhur në datën 15 janar, çka do të thotë se afati i Komisionerit Publik për ankimim ka skaduar prej kohësh. Në këtë mënyrë, Millonai, Nakuçi dhe Kraja i kanë kaluar me sukses të dyja sfidat e vetingut dhe mund të quhen zyrtarisht anëtarë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Ndërkohë, KPK ka zbardhur vendimin edhe për Manjola Kajanën, Behar Dibrën dhe Edvin Kondilin, por për ta janë edhe pak ditë afat në dispozicion për Komisionerin Publik për ankimim në KPA.
Dosjet e bujshme të kandidatëve të SPAK
Të 15-të kandidatët që i ka kualifikuar KLP për në SPAK kanë patur në dorë dosje të bujshme. Nëse e nisim nga ata që tashmë janë zyrtarizuar si anëtarë të SPAK, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja është prokurori që hetoi Lulzim Bashën për aferën e Rrugës së Kombit. Ai gjithashtu ka qenë prokuror i çështjes së ish-gjyqtares së Lartë, Majlinda Andrea, e shpallur fajtore për afera korrupsioni. Prokurori i Krimeve të Rënda, Ened Nakuçi nga ana tjetër ka patur në dorë dosjen “Shullazi”, si edhe është prokuror i çështjes së Klement Balilit. Sakaq, Enkeleda Millonai nuk njihet për ndonjë dosje të bujshme, por si një prokurore me qëndrim të prerë e të pakompromis ndaj krimit e korrupsionit. Manjola Kajana nga ana tjetër ka spikatur me hetimin e grabitëses seriale të njohur me nofkën “Nikita”. Altin Dumani bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008, ndërsa Anton Martini njihet si prokurori i bandës së Durrësit, bandës së Cërrikut, etj. Nga ana tjetër, Elisabeta Imeraj është prokurorja që këmbënguli fort për dosjen e Saimir Tahirit, ndërsa ka hetuar edhe grupin e Emiliano Shullazit, ku bëri dëshmitar Ylvi Beqajn. Ndërkaq, kandidati tjetër për në SPAK, Klodian Braho, që u konfirmua pak ditë më parë në detyrë, është prokurori që ka në dorë dosjen e Adriatik Llallës. Pra, që të gjithë të kualifikuarit nga KLP për në SPAK kanë hetuar dosje të bujshme dhe janë gati të marrin në dorë frenat e luftës antikorrupsion. /Mimoza Ibra