Marrëdhëniet mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta duket se kanë hyrë në një epokë të re. Edhe pse deri më 2 mars, Meta ishte në rrugë duke kërkuar rrëzimin e qeverisë, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të Covid-19, marrëdhëniet mes tyre kanë ndryshuar.
Gazeta e theksoi para disa javëve se presidenti kishte nisur një fushatë pazaresh. Meta ndryshoi tërësisht kurs duke ulur sulmet ndaj qeverisë dhe duke rritur elozhet. Meta falënderoi publikisht Ramën në mbledhjen e parë të Këshillit të Sigurisë. Thërriti disa herë në takim ministrat përgjegjës për situatën dhe madje u shfaq krah kryebashkiakëve socialistë, edhe pse nuk njeh 30 qershorin. Por pikat mbi “i” u vendosën dje, pasi mazhoranca pranoi propozimet e presidenti për Kodin Penal.
Që në janar e deri në mars, Meta ishte armiku më i madh i qeverisë. Opozita u tërhoq nga aksionet e saj dhe presidenti zhvillonte nga 2 konferenca shtypi në ditë duke nxjerrë prova për atë që ai e quan “puç kushtetues”. Madje Meta paditi ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke e bërë përgjegjëse për botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit që i hapi rrugë Arta Vorpsit të quhej anëtare e Kushtetueses. Por nga “ujk”, presidenti u kthye befas në “qingj” dhe si duket e arriti qëllimin: Të bënte për vete socialistët. Meta është në një proces shkarkimi dhe asnjëherë nuk i dihet fatit të tij nëse largohet nga Presidenca. Ai e provoi me dhunë dhe nuk arriti gjë, ndërsa tani ka ndryshuar strategji, duke u sjellë mirë me socialistët dhe si duket po fiton terren. Gjithkush mund të thotë se pakti për ndryshimet në Kodin Penal mund të jetë dhe thjesht i ndikuar nga emergjenca, por gjithsesi agresiviteti mes mazhorancës e presidentit ka rënë dhe marrëdhëniet janë ndryshe.
Por kush do të dalë më i humbur apo i fituar në këtë mes? Marrëdhëniet Rama-Meta kanë qenë gjithmonë të ndërlikuara, por e sigurt është se flirtet mes tyre kanë alarmuar SHQUP. Burime shumë të sigurta nga PD thonë se demokratët nuk e shohin me sy shumë të mirë lojën e Metës. Deri dje Meta i kërkonte ndihmë Bashës për të rrëzuar Ramën dhe kreu demokrat e mbushi sheshin para Presidencës më 2 mars. Po ashtu pati dhe një tjetër takim ku Meta kërkoi bashkëpunim kundër qeverisë. Sipas informacioneve, flirtet e Metës me PS tani shihen me mjaft dyshime nga PD, pasi sipas tyre, ai po mundohet të luajë me dy porta. Një ish-deputet që preferoi të mbetej anonim u shpreh se “presidenti kur e sheh veten keq i kërkon ndihmë Bashës, por në momentin më të parë shkon te Rama”. Ajo që vihet re është se këto ditë ka dhe një distancim mes PD dhe LSI. Mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat, por e sigurt është se ujërat në PD janë trazuar, ndërsa kanë filluar të qetësohen mes kryeministrit dhe presidentit.