Ditën e djeshme ka nisur faza tjetër e garës për 55 kandidatët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Testi i kaluar i kandidatëve ka qenë me ese, ndërsa dje ka nisur intervistimi me gojë dhe në fazën e ardhshme gara parashikon testin e poligrafit dhe vetingun e kandidatëve.
Sipas informacioneve, kjo fazë u zhvillua në godinën e Polit të Drejtësisë dhe tre prokurorët e SPAK-ut që përbëjnë dhe Komisionin e Përzgjedhjes kanë marrë në pyetje 25 kandidatë nga 55 të kualifikuar deri në këtë fazë. Sakaq më pas shpjegohet se si do të veprohet nëse kandidatët kalojnë të gjitha fazat e kualifikimit.
Konkretisht BKH bënë me dije se, kandidatët që do t’i kalojnë të gjitha fazat do të fillojnë menjëherë punën sa i takon Byrosë Kombëtare të Hetimit për të vijuar më pas me plotësimin e të gjithë organikës prej 60 hetuesish. Ndër të tjera theksohet se, pasi të kenë përmbyllur me sukses të gjitha fazat në Shqipëri, kandidatët do të nisen menjëherë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në akademinë e FBI-së në Virginia ku do t’i nënshtrohen dhe një trajnimi një mujor.
Në fazat që janë kryer deri më tani jo të gjithë kandidatët kanë mundur të kualifikohen, prandaj në kushtet kur BKH kërkon 60 hetues dhe në fazat e tjera mund të ketë të skualifikuar, në përfundim të këtyre procedurave gara pritet të rihapet sërish për të plotësuar organikën. Kujtojmë këtu se, shtatë oficerë të skualifikuar në garën për në BKH kallëzuan penalisht Komisionin e Vlerësimit që përzgjedh hetuesit e byrosë me pretendimin se ka pasur abuzime me detyrën dhe falsifikim dokumentesh.
Ata u shprehën se në testin fizik nuk ka pasur përcaktim kriteresh dhe të pikëve siç ishin përcaktuar në fazën e parë të testit logjik. Por, pas rivlerësimeve që bëri BKH-ja rezultoi se vetëm një kandidat i kishte marrë pikët e mjaftueshme për të kaluar në fazën tjetër të konkurrimit. Ndërkohë në njoftim tjetër zyrtar, BKH bën me dije se, në datën 16 nëntor 2020 e 17 nëntor 2020 do të zhvillohet testimi për intervistimin e kandidatëve të kualifikuar. Testimi sipas datave të përcaktuara.
Konkretisht, kandidatët me numër rendor 25 deri në 30 do të intervistohen, ditën e hënë, datë 16.11.2020, për të cilët intervista do të fillojë në orën 16:00. Ndërsa për kandidatët nga numër rendor 31 deri në 36 do të intervistohen, ditën e martë, datë 17.11.2020 po në të njëjtin orar. Sipas njoftimit, intervistat do të kryhen tek Këshilli i Lartë i Prokurorisë, rruga “Ana Komnena” , godina “Poli i Drejtësisë”.