Organizata e Kombeve të Bashkuara ka nisur një hetim për qeverinë shqiptare lidhur me procedurat e ekstradimit të shtetasve turq, Selami Simsek dhe Harun Çelik. Grupi i Punës i OKB-së kundër Zhdukjeve me Forcë, i ka dërguar një komunikatë zyrtare qeverisë shqiptare, ku kërkojnë urgjentisht informacion në lidhje me dëbimin me forcë dhe dëbimin e Harun Çelik në Turqi më 1 janar 2020, si edhe rrezikun për zhdukjen e Selami Şimşek.
Në lidhje me këto dy ngjarje, qeveria shqiptare nuk është përgjigjur ende, ndërkohë që dëbimi i dy shtetasve është kritikuar nga opozita dhe nga Brukseli. Sakaq OBK kërkon informacion mbi vendndodhjen aktuale dhe gjendjes shëndetësore të Simsek. “Informacion mbi vendndodhjen aktuale dhe gjendjen shëndetësore të z. Şimşek, si dhe masat e marra nga qeveria për t’i siguruar atij akses të shpejtë dhe sistematik me përfaqësuesin e tij ligjor.
Informacion mbi statusin aktual të procesit të aplikimit të z. Şimşek për azil politik dhe mbrojtje ndërkombëtare. Informacion mbi bazën faktike dhe ligjore për dëbimin e z. Çelik në Turqi, përfshi një sqarim të detajuar sesi kjo masë (dëbimi i z. Çelik) është në pajtueshmëri me detyrimet që rrjedhin nga konventat e ratifikuara nga Shqipëria (Konventa kundër Torturës,
Konventa mbi Statusin e Refugjatëve, Konventa mbi Zhdukjet me Forcë)”, thuhet në kërkesën për informacion që ka dërguar OKB. Më tej, OKB kërkon informacion mbi bazën faktike dhe ligjore që është përdorur për të justifikuar dëbimin në Turqi të personave të akuzuar për simpati ndaj lëvizjes Hizmet/Gulen që kërkojnë azil në Shqipëri. Ndërkaq kërkohet edhe informacion i detajuar mbi mënyrën e vlerësimit gjithëpërfshirës dhe individual të rrezikut nga autoritetet shqiptare, për të siguruar që të drejtat themelore të këtyre individëve të mos shkelen, në procesin e kthimit dhe në vendin ku ata kthehen.
“Informacion mbi garancitë që ekzistojnë dhe masat e marra për t’i zbatuar këto garanci, me qëllim shmangien e deportimeve apo kthimin me forcë nga Shqipëria drejt vendeve ku liria, siguria personale, integriteti apo jeta e çdo individi në një situatë të ngjashme, në veçanti e personave që aplikojnë për azil, apo mbajtës të certifikatave si azilkërkues, mund të jetë në rrezik”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.