Sot në botë ka dy viruse. Për njërin, Covid-19, shpresojmë që herët a vonë do të gjendet një kurë dhe një vaksinë (dhe kush e di nëse ata që janë kundër vaksinave do të kërkojnë falje). Tjetri është një rrezik për demokracitë tona. Është një virus që u ndihmua sot nga Covid-19, sulmon demokracinë liberale dhe manifestohet në të paktën katër forma: Putin, Trump, Erdogan dhe autokratë të stilit Orbán.
Shkurt, populizmi i manifestuar në forma të ndryshme. Fatmirësisht, për këtë virus e dimë kurën: të forcojmë demokracinë liberale dhe mekanizmat “check and balance” midis pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor.
Rreziku është serioz. Dhe jo vetëm sepse refuzimi i shkencës, i cili bashkon populistët, çoi në humbjen e javëve të çmuara në fillim të pandemisë, për shembull në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, shumë vdekje mund të ishin shmangur. Deri në fillim të marsit, Donald Trump tha që gjithçka ishte nën kontroll në Shtetet e Bashkuara, se ishin demokratët që e ekzagjeruan dhe se një mrekulli dhe pranvera do të bënin që virusi të zhdukej. Sot ka pothuajse 300 000 të infektuar në SHBA dhe disa parashikojnë nga 100 000 deri në 200 000 vdekje në muajt e ardhshëm. Ka një spital enkas në Central Park dhe një anije ushtarake të pajisur me pajisje spitalore, e ankoruar në ishullin e Manhatanit. Pikërisht “gjithçka nën kontroll”.
Disa populistë, për shembull në Hungari, e kanë përdorur pandeminë për t’i dhënë fund demokracisë. Vetë Trump i përdor të pavërtetat ose gjysmë të vërtetat për të zhvlerësuar guvernatorët demokratë të shteteve të ndryshme, veçanërisht Miçiganin, që do të jenë vendimtare në zgjedhjet e ardhshme. Virusi si mjet i fushatës zgjedhore. Në një moment urgjence kombëtare, një lider i vërtetë ribashkon kombin, Trump e ndan atë edhe më shumë. Madje ka edhe nga ata që kanë frikë për rregullsinë e zgjedhjeve të nëntorit. Kushtetuta Amerikane ndalon lëvizjen e tyre, por gjithçka mund të pritet nga Trump dhe Partia Republikane sot. Nëse përhapet, virusi i populizmit do t’i bënte europianët të parëndësishëm dhe më të varfër.
Sovranistët, me “justifikimin” e emigracionit (një problem serioz, por i ekzagjeruar strategjikisht), dëshirojnë të shkatërrojnë Bashkimin Evropian dhe ta zëvendësojnë atë me shumë “oborre të lulëzuara” në dukje sovrane, por në realitet në mëshirën e Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Vendet relativisht të vogla evropiane do të përfundonin duke luftuar njëri-tjetrin në luftëra tregtare, me tarifa, zhvlerësime konkurruese, konkurrencë tatimore. Një lojë kryesisht me pasoja negative që ne e kemi përjetuar vitet ’20 dhe ‘30, midis dy luftërave botërore, lojë që ka prodhuar një katastrofë.
Për të shmangur përsëritjen e atyre katastrofave, nisi në vitet ‘50 procesi i bashkëpunimit evropian. Nëse Europa e bashkuar zhduket, siç do të donin sovranistët, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina do të vendosnin vetë për fatin e njerëzimit: nga ajo se si të mbrohemi nga ndryshimi i klimës, te rregullat e tregtisë midis kombeve, fati i regjimeve që nuk u pëlqejnë, deri te përmasat e ushtrive. Putin dhe Trump shpresojnë se Evropa do të shpërbëhet për të eleminuar një konkurrent dhe punojnë së bashku për ta arritur këtë. Me ndihmën e autokratëve në kufijtë e Evropës ata krijojnë paqëndrueshmëri dhe pasiguri duke mashtruar sovranistët tanë lokalë se demokracia liberale është pak “kalimtare”. Përkundrazi, ne duhet ta forcojmë atë, përndryshe një periudhë shumë e errët mund të hapet për liritë individuale dhe për ekonomitë tona.
“Skifterët” e Evropës Veriore nuk duket se e kuptojnë që këtu nuk bëhet fjalë për mospërfshirje teknike në Eurobono apo Mekanizmin Europian të Stabilitetit, por për të bërë zgjedhje që do të përcaktojnë mbijetesën, apo jo, të Evropës. Nëse, përtej detajeve, Evropa nuk tregon se ndaj një tronditjeje të zakonshme (virusi) është në gjendje të përgjigjet në ndonjë mënyrë të zakonshme, do të ketë pushuar së ekzistuari. Është e pazakontë që drejtuesit e Gjermanisë dhe Holandës, dhe jo vetëm ata, nuk e kuptojnë. Sidomos në një botë ku Bashkimi Evropian ka mbetur një nga shembujt e rrallë të bashkëpunimit midis shteteve. Një shembull mbi të cilin duhet të bëjmë levën për të forcuar pozicionin tonë në botë: përveçse të kemi frikë nga intrigat e Putinit dhe Trumpit.
Putin sigurisht ndikoi në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 për të favorizuar Trumpin. Me sa duket ai ndërhyri përsëri në fazën e parë të zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike për të favorizuar Bernie Sanders, një kandidat “nominimi” i të cilit do të garantonte rizgjedhjen e Trump dhe një presidencë nëse është e mundur edhe më shumë perandorake sesa ajo që do të mbyllet. Ndoshta me kandidimin e vajzësë së tij, Ivanka, në vitin 2024. Fakti që një fuqi e huaj ndërhyn në zgjedhjet e një vendi tjetër është serioz dhe teknologjitë e rrjeteve sociale e bëjnë shumë të vështirë shmangien e këtij fenomeni. Vetë Trump kërkoi ndihmë nga një vend i huaj (Ukraina) për të provuar të sabotojë kandidaturën e Joe Biden në këmbim të ndihmës ushtarake të paguar nga taksapaguesit amerikanë.
Nëse Putini ndërhyn në zgjedhjet e vendeve të tjera, mbetet për t’u parë: por është pothuajse e sigurt që shërbimet ruse i paguan, dhe ndoshta e bëjnë ende, qytetarët evropianë të kombeve të ndryshme për të “postuar” në gazetat online komente sovraniste dhe në favor të Moskës. Kjo deri në atë pikë sa një gazetë angleze, “Guardian”, për t’u mbrojtur nga këto ndërhyrje, ndaloi së botuari komentet e lexuesve. Dhe sa më shpejt që të ketë mundësi, Putini kritikon demokracinë liberale, duke e quajtur atë një sistem të vjetëruar. Ndërkohë, siç i ndodhi ditë më parë Jacopo Iacobonit, gazetar i “La Stampa”, ai po sulmon lirinë e shtypit në Itali nëpërmjet gjeneralëve të tij, mbase duke menduar se së shpejti do të mund ta kufizojë atë përmes miqve të tij italianë.
Trump po teston më shumë sesa demokracinë dyvjeçare të Shteteve të Bashkuara, një sistem, antitrupat e të cilit në histori gjithmonë ua kanë kufizuar ambiciet perandorake presidentëve. Për të kuptuar këtë mjafton të lexosh tekstet e etërve themelues të demokracisë amerikane, veçanërisht James Madison, se sa të shqetësuar ishin për kufizimin e kompetencave të “njeriut të fortë”, duke u përpjekur në të njëjtën kohë që aftësia e qeverisë për të vepruar të mos bllokohet nga opozita. Trump dominon sot një parti republikane të shqetësuar më shumë për zgjedhjet e ardhshme sesa për Kushtetutën Amerikane. Gjatë mandatit të tij të parë, presidenti shkarkoi të gjithë ata që kundërshtuan zgjedhjet e tij. Ai kohët e fundit de fakto e emëroi veten shef të drejtësisë dhe veproi në përputhje me rrethanat, duke i kërkuar me një postim në Tuiter ministrit të Drejtësisë, William Barr, të ndërhynte për të ulur dënimin e vendosur ndaj bashkëpunëtorit dhe mikut të tij Roger Stone. Barr fillimisht iu bind, pastaj duke kuptuar seriozitetin e çështjes dhe lumin e kritikave që vërshuar mbi të nga të paktën dy mijë gjyqtarë, “thuajse” kërcënoi me dorëheqjen e tij.
“Pothuajse” sepse kulti për personalitetin e “njeriut të fortë” Trump dhe frika nga reagimet e tij përshkojnë Partinë Republikane. Ndërkohë, presidenti ka “falur” një dyzinë të dënuarish për korrupsion të rëndë ose krime të “insider trading“. Trump deri më tani ka emëruar 50 gjyqtarë rrethesh, dyfishin e numrit 25 të caktuar nga Obama në të njëjtën pikë të presidencës së tij. Rezultati është që në tre gjykata rrethi, përfshirë një në Neë York, një nga më të rëndësishmet, emërimet e gjyqtarëve të rinj, të gjithë konservatorë, do të ndikojnë në interpretimin e ligjit për shumë vite. Edhe Gjykata Supreme, me ardhjen e gjykatësit Cavanagh sot ka një shumicë të konservatorëve. Me emërimet e tij, Trump po i transformon edhe shërbimet sekrete në një organ partizan, plot me miq të tij.
Presidenca e Trump-it po vendos precedentë mbi të cilët presidentët e ardhshëm, qofshin ata republikanë apo demokratë, mund të apelojnë për të dobësuar “kontrollet dhe ekuilibrat” e demokracisë amerikane, një virus që mund të përhapet në demokracitë e tjera. Sidoqoftë, por mbi të gjitha nëse Donald Trump rizgjidhet, kontrollet dhe ekuilibrat e Kushtetutës Amerikane do të duhet të funksionojnë më mirë. Sepse shembulli i kësaj presidence perandorake mund të frymëzonte negativisht shumë të tjerë si në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë. Sidomos përsa u përket demokracive jo-liberale, historia do të na tregojë nëse dhjetorin e kaluar, Partia Komuniste Kineze, e cila drejton një vend krejtësisht pa mekanizmat “check and balance“, nuk na ka fshehur diçka për virusin që mund të kishte ndihmuar pjesën tjetër të botës të reagojë më shpejt. Dhe gjithashtu në muajt në vijim: numri i vdekjeve në Kinë, për shembull, nuk duket më i besueshëm dhe kjo i ka nxjerrë jashtë orbitës masat për kufizimin e përhapjes në pjesën tjetër të botës./Nga Alberto Alesina dhe Francesco Giavazzi – Corriere della Sera/ Përgatiti: Gazmira Sokoli