Në përfundim të mbledhjes së Këshilli Politik që është zhvilluar ditën e sotme, përfaqësuesi i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri u shpreh se synohet që në fund të muajit maj të mbyllet Reforma Zgjedhore.
Gjiknuri u shpreh se nuk mund të ketë një rifillim loje për Reformën Zgjedhore, pasi sipas tij opozita ka pasur një tendencë për ta fshirë gjithçka që është bërë deri më sot.
“Është bërë një punë nga ekspertët e gjitha palëve për të arritur konsensus. Nuk kemi të bëjmë me rifillim loje, por me vazhdimin e pikave ku e lamë. Opozita ka dashur të paraqesë disa propozime të reja. Ka një axhendë të dakordësuar dhe ne nuk mund ti rikthehemi nga e para. Brenda majit kjo gjë do të mbyllet. Një pjesë e mirë e punës është marrë nga OSBE-ODIHR. Nuk mund të hapim çështje të reja. Çdo gjë bëhet në bazë të këshillave të ODIHR. Ne do të bëjmë çmos që të ndjekim parimet, por kjo nuk mund të kthehet si një armë për të penguar procesin e integrimit Europian. Ka një tendencë për të fshirë gjithçka që është arritur. Nuk dua që të gjitha diskutimet ti kthejmë në diskutime politike.”- tha Gjinkuri
Nga ana tjetër përfaqësuesit e opozitës në mbledhjen e Këshillit Politik, Oerd Bykykbashi i Partisë Demokratike dhe Petrit Vasili i Lëvizjes Socialiste për Integrim kërkuan mbylljen sa më shpejt të Reformës Zgjedhore, duke e rinisur atë me propozimet e opozitës të lëna pa përgjigje nga qeveria.
3 janë kërkesat e opozitës: 1. Reforma të mos vonohet më tej, por të mbarojë deri në 31 maj. 2. Në këtë funksion, takimet mes palëve duhet të rikthehen në formatin e tryezës ballë për ballë, jo përmes komunikimit online. 3. Puna e Këshillit Politik të rinisë me çështjet e propozuara nga opozita, në mënyrë që pala tjetër të mbajë një qendrim për të gjitha propozimet e lëna pa përgjigje deri tani.