Ndërkombëtarët janë vënë në lëvizje për të mos lejuar dështimin e reformës zgjedhore. Mbledhja e së dielës ishte një dështim total nga të gjitha forcat politike, pasi nuk lëshojnë pe në kërkesat e tyre. Megjithatë SHBA dhe BE nuk janë dorëzuar pasi dje kanë nisur takimet që PS dhe PD të ulen sërish në tryezë dhe të miratojnë reformën zgjedhore.
Dje ambasadorja Yuri Kim, ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ai i Britanisë së Madhe, Duncan Norman, kanë shkuar për rreth 1 orë në zyrën e liderit demokrat Lulzim Basha, ku mësohet se kanë vënë pikat mbi “i”. Burime shumë të sigurta të gazetës kanë bërë me dije se ambasadorët i kanë kërkuar Bashës që të lëshojë pe nga kushtet e vendosura në tryezë ndërsa kanë paralajmëruar se reforma zgjedhore nuk mund të dështojë.
Madje gazeta ka mësuar se nuk përjashtohet si mundësi dhe një takim Rama-Basha, që palët të dakordësohen tërësisht, sidomos sa i takon çështjes së qeverisë teknike, të cilën PS nuk e negocion. Nga ana tjetër ajo që bie në sy është se ndërkombëtarët duket se kanë nxjerrë jashtë loje LSI. Në mbledhjen e Këshillit Politik të dielën, përfaqësuesi ligjor i ambasadës së SHBA, ka pasur një takim kokë më kokë me Oerd Bylykbashin e PD dhe Damian Gjiknurin e PS. Nga ana tjetër Rudina Hajdari pas mbledhjes tha se në këtë takim nuk ishte i përfshirë Petrit Vasili i LSI.
“Përfaqësuesi i ambasadës u takua me Bylykbashin, Gjiknurin dhe me mua, Petriti bëri një xhiro. Ata ishin të investuar që sot të kishin një zgjidhje, i thanë gjithë ditën që sot do bien dakord, se ku e kanë hallin ju e dini”, tha Hajdari. Ajo që e vërteton këtë është se menjëherë pasi u mbyll takimi në selinë e PD, ambasadorja amerikane shkoi në zyrën e kryeministrit Edi Rama, për të ballafaquar qëndrimet e PS me ato të PD. Të paktën deri dje në asnjë prej këtyre takimeve nuk përfshihej LSI, çka do të thotë se ndërkombëtarët janë përqendruar te Rama e Basha, duke nxjerrë jashtë loje partinë e presidentit.
Drejt një 17 maji të dytë
Opozita këmbëngul te qeveria transitore para zgjedhjeve. Të dielën ky propozim u hodh në tryezë dhe duket se kërkohet shembulli maqedonas. Por përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri, në të gjitha takimet që ka bërë e ka hedhur si ide një takim Rama-Basha për të diskutuar mbi qeverinë teknike.
“Një takim mes Ramës dhe Bashës është në dorën e tyre dhe i bën mirë Shqipërisë nëse do të kishte. Ku ka më mirë sesa liderët të ulën në tryezë dhe të diskutojnë çështje të mëdha. Si mund të jem kundër një takimi Rama-Basha kur unë takoj përfaqësues të PD”, u shpreh Gjiknuri pak ditë më parë. Sipas burimeve, ndërkombëtarët dje kanë negociuar mbi çështjet e mbetura pezull, që janë depolitizimi i administratës, kthimi i Kushtetueses në Kolegj Zgjedhor dhe qeveria teknike.
Nëse nuk ka asnjë lëshim nga palët, nuk është çudi që të shkojmë te një tryezë si ajo e 17 majit, por gjithçka mbetet të shihet. Vetë Basha është penduar për atë pakt, por ndërhyrja në mes e ndërkombëtarëve duket se nuk do i lejojë palët të bëjnë sipas qejfit. PS e bëri të qartë se i ka numrat në Parlament dhe drafti do kalojë edhe pa dakordësinë e PD. Por gazeta ka mësuar se dyshja Meta-Berisha janë alarmuar nga situata, pasi të dy e shohin nga jashtë situatën. Të dy i tremben një skenari si i 17 majit 2017, ku LSI mori tatëpjetën./NGA KLITI TOPALLI