Avokati i njohur Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të reja në Shqipëri. Sipas tij, nëse do kemi një l.uftë territoresh Turko-Greke në Ballkan, shqiptarët duhet të jenë të përgatitur vetë politikisht, por bashkë me aleatin e madh, Amerikën.
Komenti i plotë i Avokatit:
“Sipas përmbledhjes brilante që i bëri albanologu i madh Giuseppe Valentini dokumentacionit arkivor të Venedikut, gjejmë se, në vitin 1430, Senati i Venedikut theksoi me forcë që: “nëse një vend shumë i dobishëm dhe me vlerë si Albania, do ta humbisnim ne, dhe do të binte nën pushimin Turk, ai do të kthehej në rrezik për shtetin tonë”.
I.
Kështu shprehej politika e lartë e superfuqisë europiane të Shkullit të XV-të. Dhe shqetësimi i saj ndodhi: Shqipëria ra nën sundimin e gjatë turk, dhe Venediku u shkatërrua, me gjithë përpjekjet drastike që bëri për të ruajtur territoret shqiptare buzë Jonit dhe Adriatikut, sidomis kështjellën historike të Vlorës që ishe qëndra e Epirit deri në Prevezë.
Por, ky gjykim politik vijoi dhe u transferua në të gjitha fuqitë botërore të kohës. Turqia otomane tha po këtë; Austro Hungaria tha të njëjtin gjë gjatë viteve 1890-1912; kurse Shtetet e Bashkuara e thanë në vitin 1961 me Riçard Niksonin dhe e përsëriten me Bill Klintonin në vitin 1999.
E pra, këtë thanë të gjithë këta: “nëse një vend shumë i dobishëm dhe me vlerë si Albania, do ta humbisnim ne, dhe do të binte nën pushtimin Turk, nën pushtetin sovjetik dhe nën pushtetin rus, ai do të kthehej në rrezik për shtetin tonë”.
Kjo tani është një e vërtetë historike, por a e di politika shqiptare aktuale këtë? Asfare nuk e di. E ç’i duhet asaj historia e Shqipërisë, kur në dorë ka tenderat e Shqipërisë dhe shet fatin e saj! Por, shqiptarët duhet ta dinë rëndësinë e madhe që ka pasur në histori dhe që ka edhe sot vendi i tyre.
II.
Kjo kërkesë politike tani është sërish në zë, por, si gjithmonë, lidërshipi politik aktual i korruptuar i ka sytë nga Rusia. Kjo sepse janë të korruptuar. Korrupsioni i lartë shtetëror shqiptar sot është i tëri kundër Shqipërisë, prandaj kryeministri shqiptar shkon e lutet në Athinë, kurse e ashtuquajtura apozitë nuk i ndahet Rusisë, në një kohë kur gjithçka, në funksion të interesit shqiptar, duhet të luhet në përputhje me aktin e Amerikës në Ballkanin Perëndimor.
Po konflikti Turko-Grek që konstatohet i ashpër aktualisht? Na duhet ta theksojmë veçanërisht se të gjithë studiuesit shqiptarë të historisë e kanë pritur konfliktin Turko-Grek për territoret e Mesdheut Lindor. Natyrisht, këto territore kanë qenë një histori luftërash ruso-turke, ku Turqia osmane humbte territore, dhe kur, mbas çdo lufte të humbur, i lëshonte rusëve territoret shqiptarë që Rusia të krijonte dy shtete sllavë në Ballkanin Perëndimor: Serbinë dhe Maqedoninë.
Sot Turqia po kërkon hakmarrje territoriale me anë të forcës ushtarake që ajo vetë ka. Por, në këtë çast të pritshëm historik, politika shqiptare duhet t’i nënshtrohet interesit kombëtar. Cili është interesi kombëtar i politikës shqiprare sot?
Tani që çështja e Kosovës u zgjidh në favor të Shqipërisë, shqipëtarëve iu ka mbetur pa u zgjidhur çështja e Çamërisë. Prandaj, shqiptarët patriotë duhet të jenë të vëmendshëm, sepse tani jemi tamam si në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, kur sllavët dhe grekët mësynë për të grabitur Shqipërinë territorialisht, duke shfrytëzuar dekadencën e Perandorisë Osmane. Por, tani historia ka ndryshuar, sepse aleati i Shqipërisë është Amerika.
Ndërkohë, territori i Kosovës u çlirua me forcën amerikane, por Shqipërisë i ka mbetur jashtë një nga territoret e saj më thelbësorë: Çamëria. Ç’duhet bërë? A do ta kemi një luftë territoresh Turko-Greke në Ballkan? Nëse do të ketë një luftë të tillë, shqiptarët duhet të jenë të përgatitur vetë politikisht, por bashkë me aleatin e madh.
III.
Pikërisht tani ka ardhur koha që, edhe politika amerikane duhet të ketë si devizë atë që tha në vitin 1430 politika veneciane, por këtë herë nën diksionin që kishte politika austrohungareze në vitin 1912: “nëse një vend shumë i dobishëm dhe me vlerë si Albania, do ta humbisnim ne, dhe do të binte nën influencën e Rusisë, ai do të kthehej në rrezik për shtetin tonë”.
E pra, ky është fakti i madh historik që lidh Shqipërinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse sot në Shqipëri, politika ruse kërkon të hyjë me agresivitet, për ato interesa që shprehëm më lart.
Sot, gjatë kësaj periudhe historike, e cila, për Shqipërinë do të quhet koha e fermentimit shqiptar për të rivendosur territorin e saj etnik me Kosovën dhe me Çamërinë, duhet rrëzuar korrupsioni politik shqiptar, sepse ai është i gjithë me politikën ruse në Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, politika amerikane duhet ta intensifikojë luftën antikirrupsion në Shqipëri, sepse ajo është domosdoshmëri për Shqipërinë, por edhe për politikën amerikane.
IV.
Historia vjen e kthehet në mënyrë ciklike, dhe për Shqipërinë ajo është në mënyrë identike te cikli i periudhës 1882 – 1912; por këtë herë jo në favor të Rusisë, por në favor të Shqipërisë, sepse ajo tani mbështetet të një superfuqi absolute, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe jo në një fuqi relativisht të madhe siç ishte Austro-Hungaria që u mbështet atëherë.
Historia ecën me frymë, kjo është fryma historike e Shqipërisë, por maxhoranca aktuale që e ka politikën shqiptare në dorë, duhet ta dijë se, po i ra ndesh kësaj fryme, ajo do të përfundojë në tradhëti kombëtare. Sot duhet kulturë e madhe politike dhe njohje në thellësi të Historisë së Shqipërisë. Politika aktuale e kësaj maxhorance që ka pushtetin, është e mefshtë, por koha që përfaqëson këtë frymë historike, kërkon patriotizëm, intelekt të lartë dhe guxim nga ata që drejtojnë Shqipërinë.”