Partia Demokratike duket se ka bllokuar aleatët e saj tradicionalë për të krijuar një grup parlamentar më vete. Gazeta “SOT” e paralajmëroi një ditë më parë se aleatët e kryedemokratit Lulzim Basha kanë vendosur të krijojnë grupin e tyre parlamentar, ndërsa për t’ia arritur këtij qëllimi kanë zhvilluar takime mes tyre. Takimin e parë aleatë e vegjël të PD e zhvilluan të martë, ndërkohë që pasditen e djeshme në orën 18:00 ata janë takuar sërish për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.
Sipas informacioneve, mësohet se në takimin e djeshëm kanë qenë prezent kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi; kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu; kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka dhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.
PD nuk lejon largimin e 3 deputetëve
Por pavarësisht entuziazmit, nga takimi i djeshëm i aleatëve nuk ka dalë “tym i bardhë”. Kjo pasi sot që flasim ata kanë të sigurt vetëm 4 deputetë, në një kohë që sipas Rregullores së Kuvendit duhen 7 mandate që të krijohet një grup i ri parlamentar. Mësohet se deputetët që kanë shfaqur ambicien për t’u grupuar në një grup të vetëm dhe të ndarë nga PD-ja, janë zoti Duka, Dule, Shehi dhe Mediu.
Ndërkohë që duhen edhe plot tre deputetë që të lindë grup i ri. Mirëpo, shpresat e aleatëve të vegjël të Partisë Demokratike ishin tek kryedemokrati Basha, në mënyrë që ky i fundit të lejonte 3 deputetë që kanë dalë nga lista e PD-së, por që kanë qenë propozime të Partisë Republikane.
Mësohet se aleatët i ishin drejtuar Bashës me një kërkesë, duke i kërkuar që t’iu hapte rrugë 3 deputetëve republikanë t’u bashkoheshin atyre. Por kjo gjë nuk ka ndodhur, pasi zoti Basha për momentin e ka bllokuar kalimin e tre deputetëve të PR, duke hedhur kështu në erë planet e Mediut, Shehit, Dules dhe Dukës për të pasur një grup parlamentar të vetin. Sidoqoftë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht dhe nëse lideri demokrat, Lulzim Basha do të ndryshojë mendje dhe lënë të lirë 3 deputetët për t’iu bashkuar aleatëve të tij.
Shehi: Ja pse duam të krijojmë grup parlamentar
Megjithatë tentativat se aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike po tentojnë të krijojnë një grup më vete parlamentar, e ka konfirmuar edhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Ky i fundit teksa ishte i ftuar në një studio televizive këtë të martë, theksoi se kjo nuk është një ndarje nga kryedemokrati Basha me të cilin u futën në zgjedhjet e 25 prillit, por një taktikë për të siguruar më shumë kohë për të folur në Kuvend. “Ne po mundohemi, ne partitë e vogla. Për çfarë?
Për një hapësirë, asgjë më shumë. Gjithmonë ka pasur. Ja pse vlen. Nëse unë rri në grupin e PD-së, vendosem i 55-ti, a ku di unë kur bie radhë për të folur. Ndërkohë që kam të drejtë për të folur më shumë. Jo kur të më teket mua. Për të pasur më shumë hapësira. Për të kontribuar. Për të mos qenë të gjithë me një zë. Ne po mundohemi. Nuk ia kemi mbërritur deri më tani. Tani kemi parë kafen e parë për herë të parë. Do kalojë java e parë dhe do gjejmë një rrugë të përbashkët. PD duhet të ketë një strategji tjetër. Që t’i përfshijë të gjitha forcat”, deklaroi Shehi.