Mes polemikave që kanë nisur si mes mbështetësve të protestës e po ashtu edhe nëngrupeve që e organizojnë atë, ndasi që u theksuan edhe më shumë sapo një pjesë nisi jo në transparencë të plotë punën për krijimin e Kuvendit Qytetar, një prej nismëtareve, Luciana Kokaj bëri thirrje për bashkim.
“Kam një mesazh për ata që mbështesin protestën, të qëndrojmë të bashkuar përtej ndasive të vogla që mund të kemi. Secili mund të ketë ndonjë defekt, ndaj ju bëj thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar dhe të vijojmë protestën”, tha Luçiana Kokaj.
Në ditën e 38 të protestës te kryeministria, me pjesëmarrjen që është larg ditëve të para të nisjes së saj, ambientalisti Sazan Guri, ftoi qytetarët të mos tërhiqen.
“Nuk ka qeveri që nuk rrëzohet por ka qytetarë që tërhiqen. Nuk ka kauza që nuk fitohen por ka qytetarë që lenë kauzën përgjysmë. Çdo njeri t’i japë fjalën vetes kur vjen në këtë shesh, tamam si gjeneralët që dogjën anijet”, tha Sazan Guri.
Një koment për pjesëmarrjen në rënie të protestës e ndau edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili evidenton se kjo ndodh pas përfshirjes së një sërë figurash politike, nga kreu i PD Sali Berisha, te Ageon Shehaj, Adriatik Lapaj, e Arlind Qorri. ”
“Ju thashë po latë Saliun, me kone Shehajn, Lapajn dhe Qorrin do përfundoni në dasmë lagjeje, s’më besuat”, shkroi Balla në rrjetet sociale duke publikuar foto nga pjesëmarrje e protestuesve para kryeministrisë.
Duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, aktivisti Arbër Lleshi u distancua nga dhuna që ka shpërthyer në disa protesta e që kulmuan me sulmin e komisariatit numër 3.
‘Jemi kundër dhunës ndaj policisë, por gjithashtu policia nuk mund të dhunojë protestuesit. Të gjithë ata që kanë ngritur akuza dhe kanë hapur çështje penale në prokurori ndaj protestuesve, kemi të bëjmë me përndjekje kolektive. Të 19 personave u është shkruar e njëjta akuzë. Kjo tregon se kemi të bëjmë me institucione që koordinohen për të përndjekur qytetarë’, tha Arbër Lleshi.
Pas fjalimeve para godinës qeveritare, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës.





