Vonesat me Gjykatën Kushtetues kanë vënë në lëvizje ndërkombëtarët. Zonja Vitore Tusha, anëtare me kompetencat e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Zëvendëskryetare e KED, priti në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, e cila shoqërohej nga Znj. Michelle Lakomy, këshilltare ligjore rezidente pranë OPDAT.
Vitore Tusha bëri një përshkrim të situatës aktuale dhe veprimtarisë së deritanishme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), i cili po vazhdon të punojë duke ndjekur procedurat ligjore dhe respektuar gjithashtu edhe rekomandimet e bëra në këtë kuadër nga Komisioni i Venecias pak kohë më parë.
Po ashtu, në fokus të takimit ishin edhe hapat konkretë të ndërmarrë lidhur me ecurinë e procesit të verifikimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, si dhe për rëndësinë që mbart, veçanërisht në këtë moment, bashkëveprimi dhe bashkërendimi institucional për përmbylljen me sukses të këtij procesi dhe ringritjen sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese.
Nga aty Yuri Kim u ndal në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ku takuan kryetaren Albana Shtylla. Kjo e fundit njohu ambasadoren me sfidat e procesit të rivlerësimit, nevojën dhe mundësitë për përshpejtimin e tij, si dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme për institucionet e rivlerësimit, për kryerjen me përgjegjësi dhe profesionalizëm të funksionit të tyre kushtetues.
Po ashtu, kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit informoi znj Yuri Kim edhe në lidhje me përgatitjet e Kolegjit për shqyrtimin e çështjeve të juridiksionit disiplinor për sistemin e drejtësisë, që kjo gjykatë pritet të ketë me fillimin e funksionimit të plotë të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe mbi vendimmarrjet përkatëse të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Fokus i veçantë gjatë takimit, iu dha edhe kërkesave dhe shqetësimeve të gjyqtarëve, sa i përket funksionalitetit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe vijueshmërisë normale të procesit të rivlerësimit, duke garantuar pavarësinë në vendimmarrjen e Kolegjit. Znj. Shtylla konsideroi të domosdoshme për ecurinë e procesit të veting-ut, vazhdimin e mbështetjes të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe vëmendjen e posaçme të tyre për suksesin e procesit të rivlerësimit.