Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson Ardian Dvoranin si “kampion në luftën kundër korrupsionit” në vendin tonë.
Këtë vlerësim të DASH, Dvorani tha se sapo e ka marrë vesh përmes medieve, ndërsa momentalisht shtoi se ndodhet në gjyq.
“Jam në gjyq, sapo u njoha me vlerësimin. Vlerësimi im falë jush, falenderoj mediat”, tha Dvorani.
Kujtojmë se Dvorani pati një përplasje të ashpër me presidentin Ilir Meta gjatë kohës kur ishte në krye të KED. Kreu i shtetit e akuzoi në atë kohë Dvoranin si vegël në duart e qeverisë për të kapur Gjykatën Kushtetuese.
Meta tha se Dvorani kishte bërë qëllimisht një sërë shkeljesh të rënda gjatë procesit për emërimin e anëtarëve të rinj.
Kujtojmë për lexuesin, se Ardian Dvorani është gjyqtari që kërkoi fajësi për videon Meta-Prifti, por se ndryshoi mendje një ditë më pas nga presionet e Sali Berishës.
Të gjithë e mbajnë mend se Sali Berisha u përpoq me mish e me shpirt ta nxirrte të pafajshëm aleatin e tij, të cilit në formë presioni ndaj gjyqtarëve, i shkoi për darkë një ditë para procesit.
Një nga ata që e hëngri këtë presion, duke ndikuar që rezultati në Gjykatën e Lartë të dilte 5-0 pro Ilir Metës, do të ishte pikërisht ai, Ardian Dvorani.
Thashethemet atëherë qarkulluan se e kishin shantazhuar me një video të dyshimtë, duke e bërë të ndryshonte qëndrim.