OSBE ka rikthyer idenë e vetingut në politikë. Ishte Partia Demokratike ajo që 2 vite më parë kërkoi që deputetët dhe krerët e bashkive të futeshin në veting, por nisma u rrëzua nga Venecia dhe mazhoranca. Mirëpo me reformën zgjedhore, është hedhur ideja që dhe politikanët të vetohen. Opozita kërkon që politika të ndahet nga krimi dhe për OSBE, mënyra më e mirë është verifikimi i kandidatëve. Por në ndryshim nga Partia Demokratike që kërkonte veting vetëm për kontaktet me krimin, ambasadori i OSBE Be
rnd Borchardt ka kërkuar verifikimin pasuror. Në një tryezë për reformën zgjedhor të mbajtur dje, Borchardt deklaroi se mund të hartohet një ligj i ri për të futur në veting politikën.
“Një aspekt tjetër, i sugjeruar nga Opozita e Bashkuar, është krijimi i mekanizmave të efektshëm për të prerë lidhjet mes krimit dhe politikës. Në fund të vitit 2018, pati një projektligj për këtë. Komisioni i Venecias e quajti jopërpjestimor. Por Komisioni theksoi, njëkohësisht, përligjjen për të diskutuar një ligj të tillë. Unë do të sugjeroja një diskutim të plotë për mënyrat e kufizimit të ndikimit të shkelësve të ligjit në jetën politike të rangut të lartë. Gjatë procesit të vetingut në drejtësi, justifikimi i pasurisë ka luajtur një rol mbizotërues”, ka deklaruar Borchardt. Por futja e vetingut pasuror rrezikon të fundosë shumë politikanë në vendi tonë. Nëse shohim deklarimet pasurore të tyre, dy emrat që dominojnë janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta. Pasuria e lartë që ata zotërojnë rrezikon që t’i nxjerrë ata tërësisht nga sistemi.
Sugjerimet e OSBE
Në krye të fjalës së tij, ambasadori i OSBE theksoi se është pritur mirë nga ana e OSBE ulja në tryezë e të gjitha palëve politike, duke theksuar vendimin e opozitës për të marrë pjesë në këtë tryezë, duke u riintegruar kësisoj në këtë proces. Ai rikujtoi faktin se dialogu politik ishte një nga propozimet e OSBE si kusht për integrimin dhe hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE.
“Javën e shkuar mirëpritëm vendimin e opozitës jashtëparlamentare për t’u riintegruar në procesin e diskutimit kombëtar me institucionet. Kjo gjë mund të përmbushë rekomandimin e parë kryesor të OSBE/ODIHR-it, që thotë: “Partitë politike duhet të angazhohen në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës dhe të lehtësojnë reformën zgjedhore”. Ne jemi shumë të lumtur që u bë një hap në këtë drejtim. Më 16 janar, në Këshillin Politik të krijuar, Opozita e Bashkuar paraqiti platformën e saj për diskutime në këtë forum. Ajo përfshinte propozime për mënyrën e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”, ka deklaruar ambasadori.
Sakaq Borchardt deklaroi gjatë fjalës së tij të mbajtur ditën e djeshme, se ka edhe rekomandime të tjera sa i takon reformës zgjedhore. Ai tha më tej se institucionet e drejtësisë duhet të hetojnë të gjitha pretendimet se ka shkelje të ligjit. “Institucionet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë katërçipërisht të gjitha pretendimet për shkelje zgjedhore. Ne besojmë se reforma në drejtësi është pjesë e rrugës në këtë drejtim. Prokurorët duhet të jenë të gatshëm të shqyrtojnë akuzat për krime zgjedhore. Kjo do të sillte një ndikim frenues. Kolegët tanë të ODIHR-it, në raportet e tyre, kanë theksuar shpesh nevojën për depolitizimin e administratës zgjedhore, në të gjitha nivelet. Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore ka hartuar propozime për këtë”, tha ai.