Mori 97 vota për ta miratur, por mjaftojnë vetëm 71 për ta rikonfirmuar Kodin Zgjedhor, në rast se presidenti do ta kthejë.
Pa asnjë ndryshim, mazhoranca pohon se do të rrëzojë çdo dekret të presidentit Ilir Meta që kërkon ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve.
Vetë Meta pohoi se ka kërkuar dhe ndihmën e socialistëve europianë për të ndikuar te Edi Rama që të reflektojë dhe t’i japë një shans të dytë konsensusit.
Por, duket se mazhoranca nuk do ta shfrytëzojë këtë shans të presidentit. Burime të ndryshme nga Partia Socialiste thanë për A2 se kodi nuk ka asnjë problem dhe nuk do të humbin kohë me pretendimet e Metës.
Shqetësimin e tij e shohin të pavend, për aq kohë sa nuk është palë në zgjedhje dhe kur partia më e madhe e opozitës, ajo Demokratike, nuk është ankuar te asnjë strukturë europiane.
Megjithatë, kryedemokrati Basha, gjatë takimit me Oliver Varhelyi i quajti ndryshimet në Kodin Zgjedhor si shkelje të Kushtetutës dhe Marrëveshjes së 5 Qershorit.