Shqipëria duket se do të shkojë drejt shembullit kroat sa i takon luftës ndaj korrupsionit. Në Kroaci u arrestuan ish-kryeministri Ivo Sanader dhe mijëra zyrtarë e politikanë të tjerë. Prokurorët që kanë çuar pas hekurave këta funksionarë po japin asistencë që e njëjta gjë të ndodhë edhe në vendin tonë. Në raportin e Ministrisë së Drejtësisë për monitorimin e luftës ndaj korrupsionit për periudhën janar-mars bëhet e ditur se prokurorët e SPAK dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë shkuar në Kroaci për trajnim.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian vijojnë të jenë të vendosur për të shfarosur korrupsionin e lartë politik, duke mbështetur anëtarët e SPAK dhe duke iu mbuluar të gjitha kostot e trajnimit të tyre në Kroaci. “Për periudhën raportuese disa prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Posaçme, kanë marrë pjesë në disa trajnime me agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, si në Kroaci dhe në Kosovë, ku janë trajtuar tema që lidhen me luftën kundër korrupsionit. Kostoja e këtyre trajnimeve është përballuar nga agjencitë e huaja organizuese.
Nga ana e Prokurorisë së Posaçme janë zhvilluar analiza periodike me strukturat e Policisë së Shtetit për procedime penale konkrete që lidhen me veprat penale në fushën e korrupsionit. Analiza periodike janë zhvilluar edhe përgjatë muajit shkurt 2020, në lidhje me sekuestrimin e pasurive në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit (OFL)”, thuhet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ja raporti i monitorimit
Gjithashtu në raportin e Ministrisë së Drejtësisë bëhet e ditur se gjet tre mujorit të parë të 2020 SPAK ka zhvilluar analiza periodike me Policinë e Shtetit për të gjitha veprat penale që lidhen në fushën e korrupsionit. Po ashtu, janë analizuar edhe sekuestrimet e pasurive që janë vendosur në mënyrë të paligjshme në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit. “Nga ana e Prokurorisë së Posaçme janë zhvilluar analiza periodike me strukturat e Policisë së Shtetit për procedime penale konkrete që lidhen me veprat penale në fushën e korrupsionit.
Analiza periodike janë zhvilluar edhe përgjatë muajit shkurt 2020, në lidhje me sekuestrimin e pasurive në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit (OFL); Në analizat vjetore të 22 prokurorive me juridiksion të përgjithshëm, janë ftuar për të marrë pjesë e diskutuar përfaqësues të Policisë së Shtetit, Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Gjykatave të Apeleve; Prokuroria e Përgjithshme është në proces nënshkrimi të marrëveshjes së bashkëpunimit për aksesin në Regjistrin elektronik të Institutit të Sigurimeve Shoqërore; Gjatë kësaj periudhe (janar-mars 2020) Policia e Shtetit ka kryer 34 takime dhe analiza të përbashkëta me Prokurorinë dhe Agjencitë/Institucione të tjera ligjzbatuese, lidhur me trajtimin e ankesave dhe hetimeve të procedimeve penale për korrupsionin”, thuhet në raport.
Shkëmbimi i informacioneve
Ndërsa duke iu referuar shkëmbimit të informacioneve me homologët jashtë shtetit për krimet ekonomike janë 307 informacione gjatë tre mujorit të parë. “Numri i informacione të shkëmbyera me agjencitë homologe, me Drejtorinë për Krimet Ekonomike dhe Financiare (ku përfshihen të gjithë sektorët, krimi ekonomik, pastrimi i parave dhe korrupsioni) është si më poshtë: Për tremujorin e parë 2020 janë shkëmbyer gjithsej 307 informacione e praktika të përbashkëta: 179 informacione e praktika të ndjekura me Interpolin; 93 informacione e praktika të ndjekura me Europolin; 3 informacione me Interforcë; 32 informacione me rrjetin e zyrave për gjetjen e rikuperimin e aseteve kriminale (CARIN)”, thuhet në raport./Sot/ELISJEDA KIKO