Mbi 650 persona kanë shfaqur interes për të qenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Dje në mesnatë u mbyllën aplikimet dhe dje ka ardhur reagimi i shefes së BKH, Aida Hajnaj, e cila ka dhënë detaje mbi procesin e aplikimit për hetues.
“Falënderoj të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për pozicionet “Hetues” në Byronë Kombëtare të Hetimit. Afati i fundit për aplikim ka qenë data 29.09.2020, i cili ka përfunduar në orën 24:00 të kësaj date.
Numri i kandidatëve të interesuar, që iu përgjigjën thirrjes për të aplikuar për këtë pozicion pune, në zbatim të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” është mbi 650, sa më shpejt që të jetë e mundur do bëjmë saktësimet dhe do të njoftojmë numrin e saktë të kandidatëve që kanë aplikuar”, tha ajo.
Më tej drejtuesja e Byrosë së Hetimit garantoi se procesi i përzgjedhjes do të jetë një proces i drejtë, objektiv, transparent, dhe i barabartë. “Duke identifikuar kandidatët/et më të mirë, të cilët do të punojë ngushtësisht dhe nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm për të hetuar veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe do të garantojë një strukturë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm”, tha Aida Hajnaj.
SHBA rol kyç
Shefja e BKH ka bërë të ditur dje procesi i përzgjedhjes do të asistohet dhe monitorohet nga afër nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve. Por gazeta ka mësuar se në këtë komision SHBA ka dërguar 2 prej ekspertëve të saj më të mirë. Bëhet fjalë për dy juristë të spikatur të cilët kanë ndihmuar edhe në përzgjedhjen e shefes së BKH.
Ligji për luftën ndaj korrupsionit e ka të përcaktuar se pranë SPAK do të ngrihet Komisioni i Posaçëm i Rishikimit, i cili do të qëndrojë mbi 2 vite në vendin tonë dhe do të punojë për ngritjen e BKH. Në këtë komision dy emra janë nga SHBA dhe ata do të monitorojnë dhe do të asistojnë për përzgjedhjen e 60 hetuesve më të mirë. Plani i testimit për kandidatët është bërë në bashkëpunim me ta, ndërsa roli i tyre do të jetë kyç edhe në përdorimin e makinës së të vërtetës. SHBA e ka treguar disa herë se për të BKH është shumë e rëndësishme.
Pasi të zgjidhen, 60 hetuesit do të shkojnë në SHBA për trajnim. Më pas FBI dhe Departamenti i Drejtësisë do të sjellin ekspertë në Tiranë që do të zhvillojnë trajnime dhe do të instalojnë pajisje speciale që do të dhurohen nga SHBA. Fakti që çdo kandidat do të kalojë në filtrin e amerikanëve tregon qartë se ky organ do të jetë imun ndaj ndikimit politik dhe kur BKH të jetë gati, politika duhet të trembet.
Përzgjedhja e kandidatëve
Por si do të zgjidhen emrat e duhur, duke qenë se kemi 60 kandidatë? Gazeta ka mësuar se procesi do të kalojë në disa faza. Në SPAK është ngritur një komision me 3 anëtarë (Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Enkelejda Millonai), të cilët në bashkëpunim me shefen e BKH dhe amerikanët do të filtrojnë kandidatët. Faza e parë e vlerësimit do të jetë ajo e verifikimit të kushteve ligjore.
Pra fillimisht do shihet nëse kandidatët plotësojnë kushtet bazë të ligjit. Pra kriteret bazë janë: është shtetas shqiptar; ka arsim të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet, ose arsim të lartë në degë të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga një universitet vendas apo i huaj; ka një përvojë më shumë se 1-vjeçare pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Më pas kalohet te faza e dytë, ajo e testimit. Kandidatët e kualifikuar në fazën e dytë i nënshtrohen një provimi me shkrim e me gojë, ku përfshihen teste konjitive, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik. Do ketë një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit.
Më pas do ketë një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me efiçencë. Pra testi psikologjik. Faza e fundit është poligrafi apo makina e së vërtetës. Kush kualifikohet në fazat e para në fund duhet të kalojë dhe poligrafin.
Më pas nis një proces trajnimi shumë intensiv, ku të kualifikuarit do shkojnë në SHBA. Në fund bëhet emërimi i hetuesit. /Kliti Topalli