Gazetarja austriake, Adelheid Wölfl, në një analizë të shkruar në mediumin prestigjioz “Der Standard”, shprehu shqetësimin e saj me politikën e Bashkimit Evropian dhe NATO-s të cilët janë pajtuar me kushtet e Listës Serbe – forcës më të madhe politike të serbëve në Kosovë – për largimin e barrikadave nga pjesa veriore e Kosovës.
Largimi i barrikadave në veri pas 20 ditësh nuk do të sjellë paqe të qëndrueshme, vlerësoi Wölfl, sepse “BE-ja dhe NATO-ja ranë dakord me kushtet e militantëve që janë nën kontrollin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe nuk kanë mandat negociues”.
“Ky lloj i zgjidhjes së konfliktit nga BE-ja e bëri të negociueshëm asetin më të rëndësishëm të demokracive perëndimore, shtetin e së drejtës”, theksoi ajo.
Ndër garancitë që mori Serbia nga komuniteti ndërkombëtar, siç njoftoi Aleksandër Vuçiç, ishte se asnjë serb nuk do të arrestohet nga autoritetet e Kosovës dhe se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës s’do të mund të shkojnë më në veri pa pëlqimin e KFOR-it dhe përfaqësuesve serbë.
Prandaj, sipas gazetares austriake, rezultati për Kosovën do të jetë shkatërrues sepse “Kosova nuk mund të sigurojë që të gjithë pronarët e makinave të përdorin targat e lëshuara nga institucionet e Kosovës dhe nuk mund të mbajë zgjedhje sipas afateve”.
Për këtë arsye shtoi Wolf, Qeveria e Serbisë po hyn në dialogun e udhëhequr nga BE-ja me kapital më të madh negociues.
“Vuçic prej kohësh dëshiron ta ndajë Kosovën dhe të kalojë kufijtë në bazë të kritereve etnike. Ai merr ndihmë nga Kremlini. Serbia mund të mbështetet tek Moska ‘për të mbrojtur interesat e saj ligjore në Kosovë’”.
Ndryshe, pas gati një muaji disa serbë të maskuar i kanë larguar barrikadat nga veriu i Kosovës të cilat i kishin vendosur në shenjë revolte pasi autoritetet kosovare e kishin arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë pjesë.
Pas Rudarës, edhe në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën Veriore ka filluar heqja e barrikadave të cilat ishin vendosur më 27 dhjetor, ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se “kot u lodhën me barrikada, tash vetë po i heqin”.