Ndryshojnë afatet për procesin e rivlerësimit të pronave. Në muajin shkurt të këtij viti qeveria publikoi udhëzuesin për procesin e rivlerësimit çka i hapi rrugë nisjes menjëherë të procedurave për rivlerësim të pronave. Por, me sa duket masat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të frenimit të koronavirusit kanë prekur edhe këtë sektor duke pezulluar punën për gati dy muaj.
Ngrirja e vendit për dy muaj ka reduktuar edhe numrin e aplikimeve për qytetarët që kërkojnë të bëjnë rivlerësim të banesës së tyre. Në këto kushte ditën e djeshme Ministria e Financave i ka dërguar një propozim qeverisë, përmes të cilit kërkon që afati i rivlerësimit të shtyhet përtej shtatorit, në rastin më të mirë deri në fund të vitit 2020.
“Ministria e Financës dhe Ekonomisë i ka propozuar qeverisë shtyrjen deri në fund të vitit të procesit të rivlerësimit të pasurisë. Shkak për këtë propozim mësohet se është situata e krijuar nga Covid-19 gjatë së cilës qytetarët nuk kanë pasur mundësi të kryejnë rivlerësimin e pasurisë me tatim më të ulët. Përgjatë muajve shkurt dhe mars ishte parashikuar të kryhej procesi i rivlerësimit për ata qytetarë që kishin nxjerrë shtëpinë në shitje ose kërkonin që të linin pasurinë kolateral në bankë.
Por në dy muaj vazhdimësia e procesit ka qenë e pamundur sepse për shkak të rrezikut të përhapjes të virusit u pezullua puna në sportelet e kadastrës shtetërore”, thuhet në propozim. Sakaq bëhet e ditur se, vendimi për këtë shtyrje pritet të merret në mbledhjen e radhës të qeverisë dhe nëse ky propozim aprovohet nga Këshilli i Ministrave atëherë aplikimet për rivlerësim të pasurisë nuk do të vazhdojnë deri në fund të shtatorit, por deri në 31 dhjetor. Sipas ministrisë, shtyrja e afatit është një kërkesë e domosdoshme për shkak se referuar të dhënave të përpiluara nga zyrat kadastrale në vend numri i aplikimeve në këta pesë muaj ka qenë shumë më i ulët nga se parashikohej. Konkretisht, Agjencia Shtetërore e Kadastrës tregon se deri më tani në total kanë aplikuar 20 mijë qytetarë. Gjithsesi pritet që numri i aplikimeve të rritet në muajt në vijim pas heqjes së masave kufizuese që ishin vendosur për parandalimin e Covid-19.
Çfarë do të ndodhë me taksën
Rivlerësimi i pasurisë është një mundësi që qeveria e jep për herë të tretë për qytetarët, madje këtë vit me disa lehtësira duke mundësuar që ata të paguajnë tatim në burim të pasurisë së tyre në masën 3%, nga 15% që ishte më parë. Por me shtyrjen e afatit lindin pikëpyetjet për normën e interesit të tatimit që duhet të paguajnë qytetarët për rivlerësim të banesës së tyre.
Sakaq ministria sqaron se shtyrja e afatit nuk nënkupton asnjë ndryshim tjetër në këtë proces, pra procedurat nuk ndryshojnë dhe më e rëndësishmja pagesa e taksës qëndron në nivelin 3%. Rrjedhimisht taksa zbret nga 3 mijë euro që duhet të paguajë normalisht në vetëm 600 euro pra 5 herë më pak. Nga ky proces pritet të gjenerojnë 40 milionë dollarë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit ndërsa vlerësohet se do të jenë mbi 50 mijë pasuri që do të përfitojnë nga ulja e tatimit mbi fitimin.
\
Sipas të dhënave të Kadastrës dy vjet më parë nga kjo nismë përfituan 64 mijë persona. Për të sqaruar me një rast konkret po tregojmë që, nëse një qytetar ka blerë një apartament para disa vitesh në vlerën 50 mijë euro, por sot e shet atë 70 mijë euro atëherë ai duhet të paguajë një taksë 15% mbi diferencën e çmimit të shitjes me atë të blerjes. Në këtë rast diferenca është 20 mijë euro dhe detyrimi tatimor që paguhet nga qytetari është 3 mijë euro.
Në ligjin udhëzuesin për këtë çështje shpjegohet se, më rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale, në këtë rast baza e tatueshme llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi dhe vlerës së zbritshme. Ndërsa në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin normativ.