Rikthehen përplasjet Kuvend-Presidencë për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Prej fundit të vitit 2018 kreut aktual i ka mbaruar mandati, por mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe presidentit kanë bërë që të mos ketë një emër të ri drejtuesi për këtë institucion.
Presidenti Meta ka propozuar 3 kandidatura, të cilat janë refuzuar nga Partia Socialiste. Por teksa pritej një propozim tjetër, zoti Meta nuk ka reaguar më, duke bërë që të vihet në lëvizje Parlamenti. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, mësohet se i ka dërguar një letër presidentit Ilir Meta, ku sipas burimeve, i ka kërkuar dërgimin në Kuvend të emrit të kandidatit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Në vazhdën e vakancës së krijuar me kryetarin e KLSH prej muajsh, ju lutem të ushtroni kompetencën tuaj dhe të sillni propozimin e radhës për kandidaturën për kreun e KLSH”, thuhet në letrën e Ruçit dërguar Metës.
Zbardhet letra e Leskajt
Por gazeta ka mësuar se ka qenë vetë kreu aktual, Bujar Leskaj, ai i cili ka kërkuar të zëvendësohet. Sipas burimeve nga Kuvendi, në zyrën e Ruçit kanë shkuar disa letra dhe e fundit mban datën16 maj. Në këtë letër, zoti Leskaj i shpreh shqetësimin zotit Ruçi që nuk po emërohet pasardhësi. “Sipas përcaktimeve të Ligjit 154/2014, “Për Organizimin dhe funksionimin e kontrollit të Lartë të Shtetit”, zgjedhja e Kryetarit të ri të KLSH-së është zgjatur shumë në kohë (për më shumë se një vit).
Në këto kushte, pavarësisht faktit që KLSH është angazhuar maksimalisht për realizimin e planit të punës dhe objektivave të institucionit, në zbatim të detyrimeve tona kushtetuese dhe standardeve ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI do të vlerësonim shumë përpjekjet Tuaja, në bashkëpunim me Presidentin e Republikës, për zgjedhjen sa më shpejt të Kryetarit të ri të KLSH-së”, thuhet në letrën e zotit Leskaj. Po ashtu ai ka pasur dhe disa kërkesa të tjera që po i paraqesim më poshtë.
PS gati mekanizmin zhbllokues
Por në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë i ka rrëzuar Ilir Metës 3 kandidatura për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për një kandidaturë “konsensuale”, mazhoranca ka gati mekanizimin zhbllokues. PS ka bërë gati një draft për të ndryshuar ligjin e KLSH. Propozimi është që të parashikohet emërimi i nënkryetarit të këtij institucioni, pasi aktualisht ligji nuk e njeh këtë post.
“Kuvendi me propozim të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit emëron zëvendëskryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zëvendëskryetari emërohet për një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhje më shumë se një herë dhe ushtron funksionet e Kryetarit, në të gjitha rastet kur vendi i kryetarit mbetet bosh për shkak të mbarimit të mandatit ose shkarkimit”, thuhet në draft. Por me largimin si fillim të kryetarit në detyrë, Bujar Leskaj, nga ku niste edhe ndërhyrja ligjore e mazhorancës, nuk ka kush të propozojë zëvendëskryetarin.
Këtë socialistët kanë menduar ta tejkalojnë me një dispozitë tranzitore, duke ja deleguar kompetencën Komisionit të Ekonomisë. “Komisioni për Ekonominë dhe Financat, brenda 15 ditëve vijuese i propozon Kuvendit, kandidaturën që do të komandohet në postin e zëvendëskryetarit të KLSH dhe do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e emërimit dhe plotësimit të vakancës së kryetarit të KLSH”, thuhet në draft. / RIGELS SELIMAN