Thellohen më tej përplasjet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Pengesat në zonat kufitare kanë shkaktuar përplasje mes dy shteteve fqinje tashmë që prej dy ditësh. Kosova dhe Shqipëria patën mosmarrëveshje sa i takon hapjes së kufijve ditën e hënë me 1 prill, e cila daton edhe me liberalizimin e masave.
Fillimisht qeveria e Kosovës vendosi një taksë për kamionët, që do të kalonin nga Shqipëria drejt Kosovës, por ky vendim shkaktoi reagime të shumta, dhe pas vendimit reagoi edhe kryeministri Edi Rama. Sakaq, menjëherë pas reagimit të kryeministrit, reagoi edhe qeveria e Kosovës dhe vendosi ta anulojë vendimin për taksën në kufi, e cila ishte 22 euro për kamionët që duhet të kryenin dezinfektimin.
Por përplasjet kanë vijuar edhe ditën e djeshme, ku janë ndaluar shtetas shqiptarë teksa udhëtonin drejt Kosovës, të cilët janë detyruar të presin me orë të tëra në kufi dhe më pas janë kthyer mbrapsht duke mos arritur të shkojnë drejt Kosovës. Edhe pse taksa është hequr, pas përplasjeve, kalimi nga njëri shtet në tjetrin nuk ka qenë i lehtë. Mes të tjerash qeveria e Kosovës iu kërkon shtetasve shqiptarë që të bëjnë analizën e COVID-19, por kjo ka shkaktuar përplasje, pasi në Shqipëri analiza mund të bëhet vetëm nëse personi shfaq shenja të virusit, dhe nuk ka spital privat ku mund të bëhet.
Rama thirrje Kosovës
Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe ditën e djeshme sa i takon kufizime që qeveria e Kosovës ka vendosur në kufij. Ndërkohë kujtojmë se vendimi ka sjellë reagime edhe nga sfera politike në Kosovë, pasi ishte presidenti Hashim Thaçi i cili reagoi menjëherë pas vendimit, ku i bëri thirrje qeverisë të tërhiqte vendimin për taksën. Ndërkohë Rama i ka bërë thirrje dje qeverisë së Kosovës që të heqë masën e cila kërkon analizën e COVID-19.
Rama ka bërë me dije se në Shqipëri nuk ka një shërbim privat ku mund të bëhet analiza e COVID-19. Ai tha ndërkaq se Shqipëria ka vendosur që të mos kryhen analiza në privat, pasi tamponimi bëhet në bazën e gjurmimit dhe nëse do bëheshin në privat do të ishte e vështirë për të gjetur rastet e tjera. “Ne nuk kemi një shërbim tamponimi privat, nuk mendojmë që çështja e tamponit është si analizat e gjakut. Tamponimi bëhet mbi bazën e strategjisë së gjurmimit. Vlera e tij është shumë relative, kur bëhet kot apo si analizë gjatë, s’e mund ta bësh sot dhe ende nuk ke shenja të kapshme se virusi është inkubim.
Mund të hysh në kufi dhe nesër të shfaqen shenja, nuk e kemi si shërbim, nuk e dija këtë detaj. Mendoj që autoritet e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë për ta lehtësuar këtë proces, siç është pa asnjë kusht dhe kërkesë të tepërt, përveç ardhjes me targa të rregullta ardhja në Shqipëri e Kosovë”, tha Rama.
Reagon qeveria e Kosovës
Pas përplasjeve dhe reagimit të kryeministri Rama, reagoi edhe qeveria e Kosovës, e cila nuk ka bërë asnjë hap pas nga vendimi i saj. Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë së Kosovës, tha se vendimi për hapjen e disa prej pikave kufitare është bërë me dy kushte, ku kërkohet dokument që vërteton se nuk je i prekur nga koronavirusi ose në të kundërt duhet të karantinohesh për 7 ditë.
“Qeveria më 31 maj ka vendosur që të hapë kufijtë tokësorë në disa nga pikat, duke qenë se ka një përmirësim të situatës epidemiologjike. Hapja është bërë me dy kushte kryesore, kushti i parë është se qytetarët që hyjnë në Kosovë, ku nuk përjashtohet as qytetarët e vet Kosovës, duhet të dëshmojnë se janë negativë me COVID, me test të katër ditëve të fundit. Ata që nuk kanë një test të tillë, duhet të vetëizolohen për 7 ditë”, tha zëdhënësi i qeverisë. /NGA ARBJONA ÇIBUKU