Rozina Koleci, shoferja e aksidentit fatal te shinat e trenit, në ish NISH Tulla, u mundua të mbrohej për rrethanat e aksidentit, ku humbën jetë dy persona.
Ajo është justifikuar në seancë, duke pretenduar se ka qenë viktima që lëvizte me biçikletë, ai që i preu rrugën dhe për pasojë ajo humbi kontrollin e mjetit.
“Nuk po lëvizja me shpejtësi dhe ka qenë personi me biçikletë që më preu rrugën. Në këto kushte, tentova ta shmang, por humba kontrollin e mjetit”, ka thënë ajo në Gjykatë.
Mirëpo, prokurori Bajram Breçani ka një tjetër tezë. Sipas tij, drejtuesja Rozina Koleci ka qenë duke përdorur celularin në momentin që po drejtonte mjetin.
Një gjë e tillë është kundërshtuar nga ajo vetë dhe avokati i saj në seancë. Prokuroria pret edhe analizimin e materialeve të tjera filmike të sekuestruara në bizneset përreth ku ndodhi aksidenti, për të dalë në një konkluzion më të saktë.
Deri në përfundim të hetimeve, Rozina Koleci mund të qëndrojë në burg. Megjithatë, avokati i saj la të kuptohej se do ta apelojë vendimin, raporton panorama.