Nga dita e enjte policia pritet që të rikthejë “terrorin” ndaj qytetarëve. Nga e enjtja, do të bëhet me detyrim mbajtja e maskës në ambientet publike dhe policia nga kjo ditë do lërë mënjanë goditjen ndaj krimit dhe do të merret me gjobitjen e qytetarëve që nuk zbatojnë masat.
Ka qenë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ai i cili në një dalje për media bëri me dije se mbajtja e maskës do të kthehet në një detyrim për çdo qytetar, sapo del nga shtëpia. Ndonëse numri i të prekurve me Covid-19 ka pasur një rritje të lehtë, sërish qeveria ka vendosur të imponojë qytetarët për të përdorur maskën edhe në ambientet e hapura.
Sipas Veliut, qëllimi i këtij detyrimi është mbrojtja e qytetarëve nga rreziqet që paraqiten nga virusi. “Rastet e shtetasve të infektuar me COVID-19 kanë shënuar një rritje të lehtë, sipas të dhënave nga Shëndetësia. Një rritje e tillë e të infektuarve po vërehet edhe në shumë vende të botës. Disa prej këtyre shteteve kanë nisur marrjen e masave të forta për parandalimin e infeksionit.
Edhe në vendin tonë kanë nisur të merren disa masa në mënyrë që të pengohet përhapja masive e virusit. Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet. Kjo masë është në përputhje me udhëzimet e dala nga autoritetet shëndetësore.
Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit. Qëllimi kryesor është të mbrojmë popullatën nga rreziqet që paraqet virusi”, tha Veliu.
Rikthimi i karantinës
Por qeveria ka “kërcënuar” qytetarët me rikthim të karantinës, nëse urdhri i nxjerrë prej tyre për mbajtjen e maskave nuk zbatohet. Ardi Veliu theksoi më tej se Policia e Shtetit do të angazhohet me kapacitete të plota dhe do të dalin në terren për të monitoruar dhe ndaluar çdo qytetar që ka dalë në ambient publik pa maskë.
“Së dyti, me marrjen e një mase të tillë, synojmë edhe të shmangim një mbyllje si ajo e pranverës së këtij viti. Për qytetarët është më e lehtë të mbajnë një maskë dhe të zbatojnë rregullat e distancimit social, sesa t’u nënshtrohen kushteve të rrepta të mbylljes.
Policia e Shtetit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj, në krah të strukturave të tjera, për të garantuar zbatimin e masave të caktuara nga autoritetet e Shëndetësisë. Patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës.
Duke përfituar nga rasti ftoj qytetarët që, siç kanë dëshmuar më herët në masë të madhe vullnetin për bashkëpunim, të respektojnë masat dhe të mbështesin autoritetet policore në zbatimin e këtij detyrimi”, tha Veliu.
Gjobitja
Por për të gjithë qytetarët të cilët nuk zbatojnë vendimin e qeverisë për mbajtjen e maskave, drejtori i policisë paralajmëroi gjoba masive, që sipas tij janë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale.
“Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale. Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre.
Ndaj duke besuar se qytetarët do të jenë në krahun tonë, për t’i minimizuar efektet e pandemisë, bëj thirrje që të gjithë bashkë të tregojmë se vetëm duke respektuar rregullat mund të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të këtij virusi të rrezikshëm”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.