Një udhëtim pushimesh në Greqi është kthyer në tragjedi për një familje shqiptaro-amerikane.
Florin Hoxha dhe motra e tij, Florida Hoxha, kishin udhëtuar drejt Athinës për turizëm, por humbën jetën pas shembjes së një godine në lagjen historike të Plakas.
Me një bilanc tragjik është përmbyllur operacioni i kërkim-shpëtimit në rrënojat e godinës që u shemb pas një shpërthimi të fuqishëm, të premten më 25 shtator, në zonën e Plakës, në zemër të Athinës.
Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e EMAK-ut kanë nxjerrë nga rrënojat trupat e gjashtë personave që rezultonin të zhdukur, mes tyre tre shqiptarë.
Sipas informacioneve të deritanishme, mes viktimave janë Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ioan Alexander Kirkpatrick dhe i vëllai Florin Hoxha dhe Eris Cani, bashkëshortja e Florin Hoxhës të cilët ishin martuar së fundmi dhe ndodheshin në Greqi për muajin e mjaltit.
Ngjarja ka tronditur familjarët dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi një udhëtim që duhej të ishte pushim familjar përfundoi në një tragjedi të rëndë.
Dy viktimat e tjera ishin një çift i moshuar që banonte në katin e dytë. Bëhet fjalë për Athina Paparesku dhe Edmond Hingis, 77 vjeç, me origjinë britanike, sipas informacioneve paraprake.
Hetimet për shkaqet e shpërthimit
Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të shpërthimit dhe shembjes së godinës. Dyshimet paraprake janë përqendruar te mundësia e një rrjedhjeje gazi, por ekspertët do të shqyrtojnë të gjitha të dhënat dhe provat e mbledhura në vendngjarje për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi tragjedinë.


Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick

