Mazhoranca qeverisëse pritet të shtrëngojë masat ndaj presidentit Ilir Meta. Ky i fundit është hedhur në aksion kundër qeverisë, ndërsa sulmet nuk i ka kursyer as ndaj reformës në drejtësi. Por duket se Meta nuk do ta ketë shumë të lehtë, pasi gazeta ka mësuar se mazhoranca socialiste po shikon mundësinë për të bërë ndryshime në ligj dhe në Kushtetutë për të izoluar kreun e shtetit, sa i takon kompetenca për zgjedhje të parakohshme të pjesshme.
Presidenti Meta prej disa kohësh heziton të dekretojë një datë të re zgjedhjesh lokale të pjesshme në Bashkitë e Vorës dhe Shkodrës, për shkak se kryetarët e dalë nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit u prekën nga ligji i Dekriminalizimit. Ndërkohë që, këtë javë edhe Bashkia e Durrësit ka mbetur pa kryetar, duke bërë që të trija këto bashki të drejtohen nga nënkryetarët. Kështu, duke qenë se këto bashki kanë mbetur pa kryetar, mazhoranca i ka bërë herë pas here thirrje kreut të shtetit që të dekretojë një datë të re zgjedhjesh.
Ja si do i hiqet kompetenca për zgjedhje të pjesshme
Por thirrjet e mazhorancës kanë rënë në vesh të shurdhër, pasi Meta nuk ka ndërmend të reflektojë, pasi për të zgjedhjet e 30 qershorit ishin votime dhe ilegjitime. Burime nga selia rozë i pohuan gazetës se këto ndryshime janë të rëndësishme për t’u bërë sa më parë. Madje, sikundër theksuan të njëjtat burime, kjo nismë e mazhorancës është ndërmarrë në kushtet e emergjencës, pasi deri në shkarkimin e Metës nga detyra do të duhet shumë kohë, për shkak të vonesave të ngritjes së Gjykatës Kushtetues, e cila ka tagrin e fundit për të vendosur nëse presidenti shkarkohet apo ajo.
Kështu që, këto ndryshime shihen si tejet të domosdoshme nga mazhoranca për të kufizuar presidentin Meta dhe për ta anashkaluar atë, duke i hequr kompetencat për zgjedhje të parakohshme të pjesshme. Pra, mazhoranca synon që përmes ndryshimeve ligjore dhe kushtetuese të izolojë Metën, duke i atribuuar kompetencën për të thirrur zgjedhje të pjesshme të parakohshme Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht dhe se çfarë do të prodhojnë konsultimet që mazhoranca ka nisur me ekspertët ligjorëtë Partisë Socialiste dhe anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për këtë çështje.
Ja si ranë 3 kryetarët e bashkive
Vetëm tre nga 61 bashkitë e vendit janë pa administratorë të rinj, të zgjedhur në 30 qershor. Dhe kjo jo për faktin se nuk u zhvilluan zgjedhje, por se dy kryetarët e votuar kishin “njollë” në të kaluarën e tyre, ndërsa i treti u dorëhoq. Shkodra, bashkia më e madhe në rajonin verior të vendit zhvilloi zgjedhje si pjesa tjetër e vendit në 30 qershor. Aty kandidoi një prej emrave që iu servir kryeministrit Rama si “djalë Shkodre” dhe me mjaft reputacion. Valdrin Pjetri ishte emri për kryetarin e ri që do të sfidonte Voltana Ademin, pavarësisht se partia e saj nuk hyri në zgjedhje. Kjo e favorizoi edhe Partinë Socialiste, e cila pas afro tre dekadash do të merrte drejtimin e pushtetit lokal në Shkodër.
E sikur të mos mjaftonte kjo, në Vorë sërish ky problem. Por nëse në rastin e Shkodrës i zgjedhuri i 30 qershorit nuk u betua, në bashkinë afër metropolit shqiptar, Agim Kajmaku u betua, mori detyrën, përzgjodhi dhe staf. Por edhe ky kishte gabuar. Mungesa e deklarimit të një dënimi në Greqi në formularin e dekriminalizimit e penalizoi aq keq, sa jo vetëm që KQZ e shkarkoi, por tashmë është edhe në listën e më të kërkuarve. Ndërkohë, pak ditë më parë dha dorëheqjen edhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, për shkak të disa lapsuseve të bërë nga media mbi tragjedinë e tërmetit. Pra, në total janë tri bashki pa kryetar dhe që imponohet mbajtja e zgjedhjeve.
Rigels Seliman