I shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej muajit maj, merr fund arratia e bosit të mashtrimeve me call center, Granit Pepnikaj.
29-vjeçari që u kap nga policia e Vlorës dhe Forcat Operacionale teksa po qëndronte në një vilë luksoze në Dhërmi. Në pranga përfundoi edhe bashkëpunëtori i tij, 31-vjeçari Xhoni Hitaj, edhe ai i shpallur në kërkim.
Të dy u kapën në flagrancë pasi policia kishte rrethuar resortin, ndërsa mësohet se ata nuk bënë rezistencë.
Gjatë këtij operacioni, për përkrahje të autorit të krimit, policia arrestoi edhe 28-vjeçarin nga Tirana, Redion Rexhmati.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në vilën në Dhërmi, ku ata po pushonin u gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar Cannabis sativa.
Ndaj Pepnikajt dhe Hitajt, Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e arrestit në burg për veprën penale të mashtrimit kompjuterik.
Arrestimi i 29-vjeçarit Pepnikaj shënon një zhvillim të rëndësishëm në një prej dosjeve më të mëdha të mashtrimit ndërkombëtar me call center.
Sipas hetimeve, dyshohet se ai organizonte rrjetin e call center-ave që mashtronte qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian, duke i bindur të investonin në platforma të bursës. Dëmi ekonomik vlerësohet mbi 50 milionë euro.
Nga hetimet rezulton se Pepnikaj zotëronte 50% të aksioneve të shoqërisë “Gama Media Communication”, themeluar në korrik 2021 me Jurgen Melën.
Operacioni për goditjen 3 e call center-ave mashtrues që ushtronin aktivitetin kriminal në 12 zyra në kryeqytet, u krye në prill të këtij viti pas një hetimi dyvjeçar të Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me autoritetet austriake. Gjatë këtij aksioni, u sekuestruan 900 mijë euro cash dhe në pranga ranë 10 persona.
Kur u godit rrjeti i Call Center-ave mashtrues?
Operacioni për goditjen 3 e call center-ave mashtrues u krye në prill të këtij viti pas një hetimi dy vjeçar me të Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me autoritetet austriake.Gjatë këtij aksioni, u sekuestruan 900 mijë euro cash dhe në pranga ranë 10 persona.
Qëllimi i mashtruesve në këto 3 call center, ishte të piketonin qytetarë europianë të cilët i kishin humbur paratë në skema të tilla. Operatorët premtonin se mund t’i rikuperonin paratë që ata kishin humbur. Veçse për ta bërë këtë, do duheshin pagesa, nga 1 mijë euro. Pra skema fillonte me 1 mijë euro për të rikuperuar 10 mijë euro të humbura, përshembull, por gjatë procesit mashtruesit kërkonin edhe shuma të tjera parash. Qëllimi: T’i merrnin personave të mashtruar një herë, edhe qindarkat e fundit që u kanë mbetur.




