Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha ka publikuar një videomesazh për të gjithë studentët që do të nisin ditën e nesërme vitin e ri akademik.
Hoxha thotë se situata e krijuar për shkak të koronavirusit ka detyruar që mësimi të zhvillohet online deri në një urdhër të dytë, duke siguruar të gjithë studentët që janë marrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e vitit të ri akademik.
“Të dashur studentë dhe kolegë. Ju uroj suksese dhe mbarësi për fillimin e vitit të ri akademik 2020-2021. Ky është një fillim viti i ndryshëm i diktuar nga situata e përgjithshme e zhvillimit të pandemisë për shkak të përhapjes së koronavirusit. Kemi marrë masa për mbarëvajtjen e vitit akademik. Mësimi do të bëhet vetëm online. Do përdorim platformën online deri sa të jetë e nevojshme. Shpresoj të kthehemi sa më parë në auditor. Ju uroj suksese, do të realizojmë objektivat. Studentët të regjistrohen në platformën online sipas udhëzimeve”, thotë Hoxha.
Mësimi në universitete do të jetë online vetëm 1 muaj, më pas do të shikohet mundësia që studentët të rikthehen në auditore.