Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ua ka bërë dje të qartë politikanëve dhe organeve të drejtësisë se nuk mund të ketë tallje me reformën në drejtësi.
E pranishme në një konferencë të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për monitorimin e punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe gjyqësorit përgjatë një viti, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, tha se si KLGJ, po ashtu edhe KLP, duhet që të marrin masa, për të përmbushur boshllëqet në sistemin e drejtësisë.
Ajo theksoi se kryesore që institucionin e KLGJ është që të përmbushë detyrën në përzgjedhjen e gjyqtarëve. “Le të ndalojmë së shtiruri dhe të çojmë reformën përpara. E kuptoj që puna e gjyqtarëve nuk është e lehtë, por është e rëndësishme. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të mos kemi sukses në këtë reformë. KLGJ ashtu edhe KLP duhet të gjejnë zgjidhje për boshllëqet ekzistuese në burime. Publiku nuk mund të presë drejtësinë deri në përfundim të vetingut.
Këshillat duhet të veprojnë tani për të vlerësuar nevojat e sistemit përmes hartës gjyqësore dhe duke i mbajtur magjistratët në llogaridhënie për veprimet e tyre përmes vlerësimeve etike dhe profesionale. KLGJ duhet të përmbushë detyrimin e saj për t’i dhënë SPAK-ut një gjykatë efektive duke promovuar gjyqtarë që kanë kaluar vlerësimin kalimtar, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ajo.
Ndër të tjera Kim u shpreh se gjyqtarëve duhet që t’u kërkohet llogari nga ana e Këshillave. Ajo bëri me dije, se po ashtu duhet që të respektohen edhe procedurat kohore, të cilat janë të vendosura në ligj. “Këshillat duhet të vendosin standarde, në mënyrë që t’u kërkojnë llogari gjyqtarëve dhe të miratojnë një Kod Etike për gjyqtarët, prokurorët dhe ata vetë. Dhe së fundmi, Këshillat duhet të udhëheqin me anë të shembullit dhe të ndjekin rregullat e tyre duke respektuar procedurat dhe afatet kohore të përcaktuara me ligj”, deklaroi Kim.
Kim flet për reformën
Ambasadorja Yuri Kim, theksoi se reforma është e rëndësishme edhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Kim theksoi se, zbatimi i reformës nuk është i lehtë, por sipas saj reforma është duke ecur përpara. “Reforma në drejtësi dhe zbatimi i saj ka qenë dhe vazhdon të jetë, një nga zhvillimet më të rëndësishme për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe për një të ardhme më të begatë për popullin shqiptar.
Siç e kam thënë shumë herë më parë, reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, nuk është e lehtë, as nuk është e përsosur, por po ecën përpara, hap pas hapi.
Por, reforma në drejtësi nuk është një përpjekje për t’u trajtuar vetëm nga qeveria shqiptare”, tha Kim. Sakaq, ambasadorja Kim, theksoi se edhe kontributi i shoqërisë ka qenë i rëndësishëm sa i përket çuarjes para të reformës.
Kim e cilësoi nismën e Komitetit për të vijuar me ecjen përpara të reformës në drejtësi, si të shkëlqyer. “Në këtë drejtim, kontributet e shoqërisë civile në çuarjen përpara të reformës në drejtësi kanë qenë thelbësore, përfshirë mbështetjen dhe avokimin, oferta të ekspertizës teknike dhe monitorimin e procesit dhe përparimit të saj. Kjo nismë më e fundit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit është një shembull i shkëlqyer për të vazhduar me ecjen përpara të reformës në drejtësi”, tha ajo.