Ashtu siç gazeta e paralajmëroi, Komisioni i Venecias zhvilloi dje mbledhjen, ndërsa ka dhënë opinionin përfundimtar për ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, sa i përket emërimit të anëtarëve të rinj në këtë institucion.
Që në nisje të raportit, thuhet se modeli origjinal kushtetues për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ishte interpretuar saktë nga Kuvendi, por nuk mundi që të funksiononte ashtu siç pritej, ndërkohë që në thelb i jep të drejtë edhe presidenti Ilir Meta.
Mirëpo fakti që “Venecia” tani foli dhe e ka lënë në dorë të palëve që ta interpretojnë draft opinionin përfundimtar, tregon qartë se i është hapur rrugë zhbllokimit të procesit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra. Presidenca dhe shumica socialiste janë në luftë me njëra-tjetrën, ç’ka detyroi këtë të fundit që të ngrinte një komisioni hetimor për presidentin Meta.
Por vonesat që ndodhën në fillim të sesionin parlamentar të vjeshtës që lamë pas, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e koronavirusit bëri që komisioni hetimor të shtyjë afatet në tre raste. Momentalisht afatet e komisionit hetimor që po heton Metën skadojnë në 8 korrik. Por tani që Komisioni i Venecias foli, “fati” i Ilir Metës është në dorë të komisionit hetimor, i cili do të jetë përballë një prove të madhe, pasi do të vendoset përfundimisht nëse do të shkarkohet apo jo presidenti Ilir Meta nga detyra, duke qenë se mazhoranca e akuzon qartazi kreun e shtetit se shkeli Kushtetutën kur anuloi zgjedhjet.
Pra, mbledhja e djeshme e Komisionit të Venecias, jo vetëm që zhbllokoi procesin e shkarkimit të Metës, por i ka hapur rrugë komisionit hetimor që të vijojë punën, ndonëse përmes raportit përfundimtar “tërhiqet veshi palëve” që të dialogojnë.
Deputetët e PS kërkojnë t’i shkohet deri në fund procesit
Megjithatë, në kushtet kur mazhoranca është e bindur që kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe për shkak se raporti përfundimtar i Venecias ndryshoi disa nga ai paraprak që i jepte të drejtë presidentit Ilir Meta për vakancat në Gjykatën Kushtetuese, gjasat janë që Partia Socialiste ta çojë deri në fund betejën e nisur. Sinjalet i kanë dhënë ditën e djeshme deputetët e PS. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deputetja socialiste, Artemis Malo u shpreh se nuk ka asnjë tërheqje nga ana e mazhorancës dhe se sipas saj, komisioni hetimor do të vijojë punën.
“Për ne si mazhorancë qeverisëse komisioni hetimor nuk është lojë. Nuk ka zvarritje sa i takon hetimit që po bën komisioni hetimor. Për ne si shumicë qeverisëse është e qartë si dritë e diellit që presidenti Ilir Meta tejkaloi kompetencat dhe shkeli me të dyja këmbët Kushtetutën e Shqipërisë kur anuloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit një vit më parë. Kështu që, ne kemi arsye për t’i shkuar deri në fund procesit”, deklaroi deputetja socialiste, Artemis Malo.
Ndërkohë, në të njëjtën linjë me kolegen Malo, dje u rreshtua edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” akuzoi presidentit Ilir Meta se ka shkelur në disa raste Kushtetutën dhe se shumica socialiste sipas tij, e ka për detyrë ta çojë deri në fund betejën me kreun e shtetit. “Respekt për Komisionin e Venecias dhe vendimet e tij. Ne nuk kemi lënë asnjë punë gjysmë dhe pas dore. Nuk mundet të besojmë në reformën në drejtësi po lamë pa gjykuar piramidën, Presidentin-veten kur gabojmë. Kjo na bënë më të besueshëm dhe shpresëdhënës për popullin. Lufta vazhdon për të siguruar demokraci për shumicën”, deklaroi deputeti i PS, Bujar Çela./ RIGELS SELIMAN