Pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për luftë në Kosovë ka reaguar ish-kryenegociatorja Edita Tahiri.
Ajo tha se përderisa e gjithë bota e ka mendjen tek pandemia dhe Vuçiqi tek lufta, atëherë e gjithë kjo nuk është e çuditshme duke e marrë parasysh armatosjen e Serbisë nga Rusia.
Tahiri përmes një postimi në Tëitter tha se Perendimorët duhet të alarmohen nga e gjithë kjo.
“Mendja e botës në pandemi, e Serbisë @avucic mendjen në luftëra. Çfarë mendimi barbar! Nuk është e çuditshme duke pasur parasysh që #Russia armatosi #Serbia . Megjithëse ne të gjithë #Perëndimorët duhet të alarmohemi”, ka shkruar Tahiri.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dje ka thënë se nuk dëshiron konflikt të ngrirë me Kosovën. Ai e ka përmendur luftën që po zhvillohet në Nagorno Karabak ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke përkujtuar se si “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”.
Vuçiq tha se Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi me Kosovën, por shtoi se nuk do të pajtohet me poshtërim.