Policia e Shtetit ka bërë një reagim të fortë ndaj organeve të drejtësisë pas lirimit të dy personazheve të njohura të botës së krimit në qytetin e Elbasanit. Një ditë pasi Gjykata e Elbasanit vendosi të lirojë nga burgu Florenc Çapjan, duke pushuar çështjen ndaj tij, ndërsa Gjykata për Krimet e Rënda shpalli të pafajshëm Suel Çelën ka reaguar Policia e Shtetit. Në një deklaratë për mediat, Policia shpreh zhgënjimin e saj për këto dy vendime dhe thotë se ato i japin krah krimit dhe synojnë të frenojnë punën e Policisë.
Dy personat, Çapja që u lirua nga qelia dhe Çela që ishte në kërkim dhe u shpall i pafajshëm, janë dy persona me rrezikshmëri të lartë në Elbasan dhe drejtues të dy grupeve kriminale për të cilët grupi hetimor kishte prova të shumta që vërtetonin përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale dhe që duhet të dënoheshin. Florenc Çapja për të cilin policia thotë se i shpëtoi ndëshkimit të drejtësisë me vendime arbitrare, akuzohej për atentatin kundër ish-efektivit të policisë Fadil Mema në vitin 2005, por gjyqtari Tomor Kullolli vendosi që të pushonte çështjen.
Sipas bluve, gjyqtari e ka mbajtur dosjen për rreth një muaj e gjysmë në shqyrtim dhe dje vendosi pushimin e çështjes. Edhe pse vendimi nuk është i formës së prerë, policia deklaron se tashmë Çapja me rrezikshmëri të lartë është i lirë. “Florenc Çapja është i dyshuar si një nga drejtuesit e një grupi të rrezikshëm kriminal që vepron në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i arrestuar shumë herë për vepra të rënda penale, po që ka arritur të lirohet dhe t’i shpëtojë ndëshkimit në sajë të këtyre vendimeve arbitrare të organeve të drejtësisë, të paligjshme. Ky vendim nuk është i formës së prerë, por gjithsesi ka bërë që ky individ me rrezikshmëri të lartë shoqërore të lirohet nga burgu dhe sot të jetë i lirë”, thotë policia.
Lirimi i Suel Çelës
Sa i takon rastit të Suel Çelës, policia thotë se ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri tentoi të vrasë me anë të goditjes me makinë punonjësit e Policisë Shtetit që u gjendën në makinën e tyre në ushtrim të detyrës. Ngjarja ka ndodhur në shtator të 2017 pranë tregut agroushqimor në Kusarth, Elbasan. Sipas policisë, 32-vjeçari është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe njihet si drejtuesi i një grupi të rrezikshëm kriminal që operon në qarkun e Elbasanit.
Sipas policisë dyshohet se me forma korruptive ai ka arritur të depërtojë në sistemin e drejtësisë dhe t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor. “Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, me gjyqtarë: kryetar seance Klodian Kurtishi, anëtar Fran Prendi, anëtar Sandër Simoni, shpalli të pafajshëm të pandehurin Marjus Lulaj alias (Suel Çela), i cili gjatë gjithë kohës i është shmangur këtij hetimi dhe është hetuar dhe gjykuar në mungesë”, tha policia në deklaratën e saj ditën e djeshme. Gjithashtu policia ka vënë në dukje edhe ndryshimin e akuzave ndaj Suel Çelës, dy javë më parë kur dhe u lexuan konkluzionet përfundimtare. “Në seancën e datës 04.11.2019, nga ana e Prokurorisë janë paraqitur konkluzionet përfundimtare, ku është bërë ndryshimi i akuzave për të pandehurit, Marjus Lulaj (Suel Çela) dhe është kërkuar dënimi i tij për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, dënim i parashikuar me 7 vjet burgim, por sot kjo trupë gjykuese ka vendosur ta shpallë të pafajshëm”, thuhet në deklaratën e policisë.
Aktualisht Çela është në kërkim nga policia, pasi ndaj tij është dhënë masa “Arrest me burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”. Më tej, Policia e Shtetit, në deklaratën e saj thotë se për të dy shtetasit, Florenc Çapja dhe Suel Çelaj, që sipas policisë janë drejtues të grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit, policia e ka bërë punën e saj dhe ka arritur të dokumentojë fajësinë e tyre, por ata kanë arritur të lirohen dhe t’i shpëtojnë ndëshkimit, në sajë të këtyre vendimeve arbitrare të organeve të drejtësisë, të cilat sipas policisë janë të paligjshme. /Elvis MYRTA