Bashkimi Europian dhe Gjermania kanë shtuar presionet ndaj Shqipërisë për përmbushjen e 15 kushteve të vendosura nga Brukseli me qëllimin hapjen e negociatave.
Pak ditë më parë Brukseli ndezi dritën jeshile për negociatat, ndërsa Shqipërisë iu lanë një sërë detyrash për t’i përmbushur gjatë muajve në vijim, sikundër është çuarja përpara e reformës në drejtësi, ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe intensifikimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Por gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës gjermane në Parlamentin Europian, kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka prekur sërish këtë çështje. Merkel ka bërë diferencën midis hapjes së negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, teksa për këtë të fundit ka lëshuar një ultimatum të prerë, duke kërkuar nisja e goditjeve kundër korrupsionit dhe vijimi reformës në drejtësi, të cilat sipas saj, vendosin hapjen e negociatave. “Një nga tre objektivat e politikës së jashtme gjatë presidencës tonë ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor.
Lidhur me konferencat e anëtarësimit, ne duhet të angazhohemi në negociata të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe nëse është e mundur me Shqipërinë, si dhe progresin për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të ofrojmë një perspektivë anëtarësimi”, deklaroi Merkel.
Fiksimi i një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut duket i mundshëm në 10 nëntor gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, sipas kalendarit të përkohshëm të Këshillit të Bashkimit Europian. Ndërkohë, fiksimi i një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë do të varet nga përmbushja e kushteve të vendosura nga Brukseli e sidomos Bundestagu për Tiranën zyrtare. Pra, duket qartë që Brukseli kërkon sundimin e ligjit dhe konsolidimin e reformës në drejtësi.
Thelbësore sundimi i ligjit
Por përveç kancelares gjermanë, Angela Merkel, sundimin e ligjit, intensifikimin e luftës kundër korrupsionit dhe çuarjen përpara të reformës në drejtësi e ka kërkuar edhe Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi. Ky i fundit prezantoi dje në një intervistë për “DW” përmbajtjen e draft-kuadrit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa mes të tjerash i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të përmbushë kushtet e vendosura nga BE.
“Është shumë e rëndësishme, është thelbësore që Shqipëria të mbështetet në arritjet e fundit dhe të vazhdojë përparimin e reformave, në fushat e sundimit të ligjit, gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë dhe mbështesë autoritetet shqiptare në përpjekjet e tyre”, deklaroi ai.
Reforma zgjedhore
Më tej, ai e cilësoi arritje marrëveshjen mes PD, PS dhe LSI për reformën zgjedhore mbrëmjen e 5 qershorit. “Në përgjithësi dhe pavarësisht nga sfidat që paraqet shpërthimi i COVID-19, Shqipëria ka vazhduar të tregojë angazhimin e saj dhe të arrijë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore, të identifikuara në konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Këshillit Europian, të marsit 2020.
Në mënyrë të veçantë, Shqipëria ka bërë tanimë përparim në përmbushjen e kushteve që duhen plotësuar para Konferencës së parë Ndërqeveritare. Arritja e fundit ishte marrëveshja ndër-partiake për reformën zgjedhore, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, brenda dhe jashtë Parlamentit. Kjo tregon përkushtim, dëshmon gjithashtu se Shqipëria po jep rezultate edhe në kohë nga më të vështirat. Ne kemi besim se Shqipëria do të vazhdojë të zbatojë me sukses reformat e nevojshme”, nënvizoi Várhelyi.