Kreu i grupit demokrat, Myslim Murrizi është përplasur ditën e djeshme në Kuvend më ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj. Murrizi ka denoncuar një tender, që sipas tij kap shifrën e 23 milionë eurove dhe u shpreh se tenderi ka qenë për uniformat blu dhe Ministria e Brendshme ia ka dhënë një firme të regjistruar si objekt në QKR.
“Kam këtu përpara dokumentet e një tenderi të shpallur fitues në 14 korrik 2020 të ministrisë së Brendshme, 23 mln euro për uniformat, tender i nisur para një viti, i ngecur në ingranazhet e korrupsionit brenda ministrisë së Brendshme dhe shpallet fitues në datë 14, ju apo Mond Kokoneshët që keni në ministrinë tuaj si shoqëri e zhvillimit të tenderave, kompaninë “DE” që ka në objektin e saj në QKR gërmime dheu dhe shoqëri tregtare, ndaj ftoj SPAK-un të mos flejë gjumë.
Është turp, u çon fletë arresti të vdekurve, të shkojë te të gjallët, te 3-4 ministrat, të mbrojtjes apo brendshme, që i kanë dhënë një firme me objekt gërmime dheu rreth 70 milionë euro për 5 vite dhe kjo del në treg dhe merr uniformat te gabi”, u shpreh Murrizi. Sakaq Murrizi i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të hetojë në lidhje me këtë tender. Ai kërkoi që SPAK-u të mos flejë gjumë por të hetojë.
“Po kjo firmë, kur në 2013 ju u thatë shqiptarëve se do e denoncojmë, por po kjo firmë me ministrat tuaj të mbrojtjes mori 45 mln euro. Para 15 ditësh i dhatë 23 mln euro për uniformat e ministrisë së brendshme me 30% artikuj më pak. Ftoj SPAK-un të mos flejë gjumë. Buxheti të mos përfundonte në xhepat atyre që iu njohin xhepat. Jo vetëm kjo ministri, por edhe objektet e tenderimeve të shëndetësisë, apo e Mbrojtjes, apo agjenci të tjera duhet të jenë objekt hetimi i SPAK-ut”, tha Murrizi.
Ndërkohë pas kërkesës për replikë, Lleshaj në fjalën e tij i tha Murrizit se nëse ka prova për abuzime t’i dërgojë në SPAK. Lleshaj tha se nëse ka të dhëna dhe dokumente për ato që thotë, le t’ia dërgojë SPAK-ut dhe ta bëjnë ata prokurorin dhe jo Murrizi.
“Unë po ju them diçka, fare të thjeshtë, të gjitha ato gjëra që ju cituat këtu, nuk i komentoj për arsye se nuk i di, sepse unë nuk merrem me asnjë shifër, me asnjë tender, me asnjë firmë, me asnjë sozi, me asnjë gjë me të cilat ju merreni dhe është zgjedhja juaj që të merreni me këto gjëra.
Por do t’ju ftoja fare thjesht, mos i bëni ftesë Prokurorisë, ftesë publike, retorike, politike, por në qoftë se nuk e dini, jua tregoj unë adresën e Prokurorisë! Shkoni trokisni atje, çojini ato gjëra që keni, sepse i bëni shërbim publikut nëse besoni që janë të vërteta, dhe kështu zgjidhet puna”, tha Lleshaj.